Kandidati demokrat për kancelar në zgjedhjet parlamentare në Gjermani, Armin Laschet, kërkoi falje publike sot, pasi që u kap nga kamerat duke qeshur, gjatë një vizite që zhvilloi në zonat e përmbytura.

“Më vjen keq për përshtypjen e lënë. Ishte e papërshtatshme dhe më vjen keq për të. Fati i atyre që preken qëndron në zemrën tonë”, shkroi Armin Laschet në Twitter.

Laschet u filmua duke qeshur me bashkëpunëtorët e tij në sfond, derisa presidenti gjerman po fliste për viktimat e vërshimeve. Ky veprim u vlerësua si gjest i ulët, në një situatë të tillë, përcjell Gazeta Sinjali.

“Mënyra në të cilën Armin Laschet, në momentin kur presidenti fliste për viktimat, po sillet në sfond, është mosrespektim dhe meriton dënim”, i tha sekretari i përgjithshëm i socialdemokratëve, Lars Klingbeil, gazetës gjermane Bild.

Sipas sondazheve aktuale, Armin Laschet mund ta pasojë Angela Merkel në postin e kancelarit, pas zgjedhjeve parlamentare në fund të shtatorit.