Motra e Thibaut Courtois, Valerie, i ka kërkuar falje Leonardo Spinazzolas, të cilin e kishte akuzuar se po humbiste kohë duke u shtirur se ishte i lënduar në fitoren e Italisë 2:1 kundër Belgjikës në çerekfinale të Euro 2020.

Mbrojtësi anësor Spinazzola pësoi lëndim të rëndë dhe u largua nga Euro 2020 me lot në sy të premten, pasi e tërhoqi muskulin duke vrapuar, transmeton Gazeta Express.

Motra e portierit të Belgjikës dhe Real Madridit ishte në Allianz Stadium për ta parë ndeshjen dhe reagoi drejtpërdrejt në kohën e lëndimit të Spinazzolas duke e përdorur llogarinë zyrtare të vëllait të vet në Instagram.

Ajo e xhiroi Spinazzolan duke u trajtuar në fushë nga stafi mjekësor italian dhe shkroi në gjuhën e vet: “Këtë e quajmë hileqar me përvojë”.

Reklamë

Më vonë u mësua se mbrojtësi italian e kishte këputur tendonin, një lëndim i rëndë që kërkon kohë të gjatë për t’u shëruar.

Prandaj, 30-vjeçarja kërkoi falje përmes llogarisë së vet zyrtare në Instagram.

“Më vjen keq që e kuptova se Euro përfundoi në këtë mënyrë për Spinazzolan. Kërkoj falje për reagimin tim në atë çast dhe shpresoj se ai do të ketë riaftësim të mirë”, shkroi Valerie.

Spinazzola është larguar nga kampi italian në Euro dhe do të operohet në Finlandë sot. Ai pritet të mungojë gjashtë muaj.