Avokatja Kosovare Kelmendi ka kërkuar nga gjykata që Enver Sekiraqës t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe t’i zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak.

Ajo këtë propozim e ka dhënë në seancën e së premtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rigjykimin ku i mbrojturi i saj po akuzohet për nxitje në vrasjen e të ndjerit Triumf Riza.

Pasi në këtë seancë është dëgjuar drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Policinë e Kosovës, Fadil Gashi, avokatja Kelmendi ka kërkuar nga gjykata që të mbrojturit të saj t’i ndërpritet masa e paraburgimit.

Ajo ka përmendur disa raste të rënda për të cilat të akuzuarit po mbrohen në liri.

Avokatja e përmendi rastin e Fitim Avdiut, i cili kishte qenë i akuzuar në këtë rast dhe sipas saj i kishte mbajtur 10 vite burgim për shkak të një “sms” të konstatuar në kohë të gabuar, por që më vonë sipas avokates kishte rezultuar se koha e atij “sms” nuk kishte përkuar me kohën që ka pretenduar akuza.

Po ashtu, e njëjta e ka përmendur edhe procedurën penale kundër Rrahim Abdullahut, i cili bashkë me Fitim Avdiun ishin akuzuar për vrasjen e Rizës, por më vonë është akuzuar për ndihmë pas kryerjes së veprës penale në tentativë.

Ajo tha se Sekiraqës masa e paraburgimit i ishte ndërruar nga Gjykata e Apeli, e cila sipas saj është gjykatë që pa pasur bazë nuk ndërron masa të sigurisë.

“Këtë e dëshmon edhe çështja e kthyer dy herë në rigjykim për të njëjtat shkelje. Në vendimin e Gjykatës së Apelit lidhur me masën e sigurisë thuhet se çështja e paraburgimit apo zëvendësimit mbetet në diskrecionin e gjykatës së shkallës së parë, meqenëse çështja është kthyer në rigjykim”, ka thënë avokatja, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas saj, i mbrojturi i saj gjendet që nëntë vite nën masën e paraburgimit dhe se 96 seanca ishin mbajtur në këtë rast.

“Ne e kemi fituar besimin e gjykatës për zëvendësim e masës pa asnjë garanci edhe pse kemi ofruar hipotekë dhe ajo masë nuk është shkelë. Rikthimi i tij në qendrën e paraburgimit është bërë për shkak të një fotografie që është publikuar në shtëpinë e të akuzuarit, ku i njëjti kur është sjellë në shtëpi nuk ka pasur kontroll se kush po e pret në shtëpi, kjo nuk është shkelje”, ka thënë avokatja.

Ajo ka përmendur edhe rastin e sulmit në lokalin Sekiraqa, në të cilën të akuzuarit për vrasje të dyfishtë dhe plagosje të 11 qytetarëve të pafajshëm si dhe shkaktimit të dëmeve të mëdha materiale mbrohen në liri.

“Unë mendoj se kemi të drejtë ligjore të bazuar dhe argumentuar mirë se pas 9 vite paraburgim ky i akuzuari që pasi ka marrë garancën për sigurinë e jetës së tij është dorëzuar vet”, ka thënë avokatja.

Ajo e ka lutur gjykatën që Sekiraqës t’i zëvendësohet masa e paraburgimit me atë të arrestit shtëpiak, pasi sipas saj, i njëjti nuk ka as dokument udhëtimi, as letërnjoftim dhe se nuk ekziston më bazë për arratisje e as për ndikim në dëshmitarë, pasi sipas avokates për këtë rast dëshmitarët ishin dëgjuar nga gjashtë herë.

“Qëndroj në tërësi pranë propozimit të avokates dhe kur të më thoni do të vijë”, ka thënë i akuzuari Sekiraqa.

Por këtë propozim e ka kundërshtuar prokurori special Haki Gecaj, i cili ka deklaruar se ende do të dëgjohen dëshmitarë në këtë çështje penale dhe se kërkesa për ndërrimin e masës së paraburgimit është pabazuar.

Kështu, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Agim Kuçi njoftoi se lidhur me këtë propozim do të vendoset jashtë seancës.

Ndryshe, gjatë dëshmisë së tij në seancën e së premtes, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Gecaj, dëshmitari Fadil Gashi ka thënë se me 30 gusht 2007, kur kishte ndodhur vrasja e Triumf Rizës, pas orës 16:00 tha se ishin njoftuar për një vrasje në lagjen “Dardania” dhe sipas tij, kishin marrë informacione se kishte mbetur i vrarë një ish-zyrtar policor, Trimf Riza.

Pas këtij informacioni, dëshmitari tha se kishte dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet dhe dëshmitë e dëshmitarëve okular është thënë se vrasja mund të jetë kryer për çështje të hakmarrjes nga grupi Sekiraqa

Dëshmitari tha se për kryerjen e hetimeve kishin marrë udhëzime nga prokurori Osman Mehmeti dhe kishin komunikuar me dhomën e incidentit, në të cilën tha se kishte qenë nënkoloneli Latf Merovci, ku sipas tij, nga dëshmitë e vendit të ngjarjes dhe nga informacionet e tjera ishin organizuar edhe bastisje dhe kontrolle të lokacioneve të caktuara.

Për bastisjet e kryera dëshmitari Gashi tha se ishte informuar prokurori Mehmeti, si dhe nga dhoma komanduese dëshmitari tha se iu ishte dhënë njoftimi se ishte njoftuar edhe gjykatësja e procedurës paraprake Drita Hoxha, e cila sipas tij, i kishte urdhëruar me urdhër verbal.

Pas këtij urdhri verbal, dëshmitari tha se kishin vazhduar për hetimin e të dyshuarit, i cili sipas tij kishte ikur me armë në dorë.

“Në ditën e incidentit nuk është bërë kërkesë për marrjen e urdhëresës me shkrim nga gjykatësi, pasi që prokurori ka qenë në vendin e ngjarjes dhe nga dhoma komanduese na u është thënë se kemi urdhër verbal nga gjykatësja dhe se mund të veprojmë”, ka thënë dëshmitari.

Në ditën e vrasjes, dëshmitari Gasih tha se nga dhoma komanduese dhe prokurori ishin urdhëruar që të bastiset lokali i Enver Sekiraqës, me emrin “Sekiraqa”, për bastisjen e të cilit tha se kishin parashtruar edhe procesverbal për veprimet e ndërmarra.

Pas kryerjes së operacioneve hetimore, për njoftimin e gjyqtarit të procedurës paraprake dhe prokurorit sipas dëshmitarit ka qenë i obliguar njësia e tij dhe ekipi përgjegjës i rastit.

Prokurori Gecaj tha se në shkresat e lëndës ishin edhe procesverbalet e bastisjes, për çka e pyeti dëshmitarin nëse këto procesverbale të kontrollit ishin të mjaftueshme për njoftimin e gjyqtarit të procedurës paraprake dhe prokurorit.

“Lidhur me gjitha kontrollet që janë bërë, e di që janë njoftuar me raporte njoftuese për veprimet e bëra dhënë ato raporte mund të jenë të shkruara kërkesat tona të cilat prokuroria dhe gjykata duhet të na përgjigjen mbi veprimet e bëra”, është përgjigjur dëshmitari Fadil Gashi.

Prokurori Gecaj e pyeti dëshmitarin lidhur me tri procesverbale të bastisjes në ditën e kryerjes së vrasjes, në të cilat shënon se ishte lëshuar me urdhër të gjykatëses Drita Hoxha, ndërsa vetëm procesverbali i bastisjes në lokalin Sekiraqa, sipas prokurorit nuk ishte shënuar emri i gjyqtarit për bastisje.

“Nuk e di se kush ka qenë në kontroll nga ana e policëve, por nëse polici nuk e ka shënuar nuk është i obliguar dhe ne këtë procesverbal nuk e marrim si përfundimtar të raportimit të policit nga vendi i ngjarjes, por polici prapë e përpilon një raport që shpjegon të gjitha veprimet e ndërmarra”, ka thënë dëshmitari.

Sipas dëshmitarit, nëse polici nuk e ka shënuar në procesverbal urdhrin e gjyqtarit të procedurës paraprake, ka mundur të ndodhë që nuk ka qenë ai që ka komunikuar me gjyqtarin.

I pyetur nga prokurori Gecaj se a ka ndodhur të kryhet ndonjë bastisje në rastet e tjera pa urdhër të gjykatës, dëshmitari ka thënë se sipas përvojës së tij, të gjitha veprimet policore edhe për raste të rënda janë duke u kryer me urdhra verbal.

Ai tha se nga policët që kishin pranuar informacionet si dhe nga një fotografi e dorëzuar në polici nga dëshmitarët, Arben Berisha ishte i dyshuari kryesor për vrasjen e Triumf Rizës.

Në pyetjen e mbrojtëses së të akuzuarit Sekiraqa, avokates Kosovare Kelmendi, se pse lokacioni i parë i bastisur nga ana e policisë ishte lokali “Sekiraqa”, dëshmitari ka thënë se ky lokal ishte bastisur për shkak të informacioneve se vrasja ishte kryer nga grupi Sekiraqa.

Grupi Sekiraqa sipas dëshmitarit ishte quajtur si i tillë për shkak se nga informatat e policisë ky grup kishte pasur të kaluar kriminale dhe sipas tij, për këtë arsye ishte quajtur si grup “kriminal”.

I pyetur se si janë lejuar që të merren veprime hetimore nga informacione të cilat nuk janë evidentuar askund, dëshmitari ka thënë se veprimet policore kanë qenë sipas autorizimeve policore të rasteve me rrezikshmëri të lartë.

Se Arben Berisha është pjesëtar i grupit kriminal Sekiraqa, dëshmitari tha se nuk i kujtohet se kur e kishte kuptuar, por sipas tij, ka qenë i dyshuari i kryerjes së vrasjes dhe pjesë e këtij grupi.

I pyetur nga avokatja Kelmendi se pse policia e ka bastisur shtëpinë e familjes së Enver Sekiraqës, përveç lokalit të tij, para se të bastiset shtëpia e Arben Berishës si i dyshuari kryesor, dëshmitari Gashi ka thënë se nuk i din arsyet, por sipas tij, me gjasë shtëpia e Arben Berishës nuk ka mund të identifikohet një kohë më të gjatë.

Në pyetjen tjetër të avokates Kelmendi, se si kishte mundësi që sipas shkresave të lëndës ora e bastisjes e evidentuar në procesverbale ka dallim dy orë vonesë me atë të procesverbalit të krim teknikës, dëshmitari ka thënë se mund të jenë gabime teknike.

I pyetur se pse katër muaj pas vrasjes dhe pas pranimit të fajësisë nga Arben Berisha, Sekiraqa ishte dyshuar si nxitës i kësaj vrasje, dëshmitari ka thënë se hetimet kane qenë të koordinuara dhe të planifikuara me prokurorin.

Seancat e radhës në këtë rast pritet të mbahen me 7 dhe 8 shtator 2021, në ora 09:30, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Mirëpo, Gjykata e Apelit me 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.

Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe me 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqen dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur me 6 shtator 2017, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqes për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet.