Këshilli i Drejtorëve të Komunës së Podujevës, në mbledhjen e rregullt të cilën e udhëhoqi nënkryetari Nexhmi Rudari, ka diskutuar për Qarkoren buxhetore 2021/3, planifikimet buxhetore për vitin 2021 dhe për shpërndarjen e mjeteve buxhetore të cilat kanë qenë të planifikuara për Ligjin për paga, njofton kumtesa komunale, transmeton Llapi.info.

Pas diskutimeve, anëtarët e ekzekutivit vendosën që mjetet e mbetura nga buxheti i planifikuar për rritje të pagave të shpërndahet në projekte që përmirësojnë kushtet në arsim dhe shëndetësi, ndriçimit publik, për mbështetjen e bujqve për kompensimin e dëmeve, rritjen e subvencioneve në bujqësi, rritja e subvencioneve për klube sportive dhe organizata të shoqërisë civile.

Këto planifikime do t’i përcillen për miratim Kuvendit të Komunës në seancën e radhës.

Gjithashtu në takimin e sotëm drejtorët diskutuan edhe për realizimin e buxhetit të këtij viti dhe realizimin e projekteve të parapara.