KDI: Kryeministri të veprojë për kërkesat legjitime të protestuesve

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në prag të protestës së nesërme u bëri thirrje institucioneve të Kosovës që të veprojnë me maturi karshi kërkesave legjitime të protestuesve dhe mos t’i anashkalojnë ato me pretendimet se janë politike dhe se Kosova ka probleme më të mëdha.

KDI thekson se ministri për Kthim dhe Komunitete, Jabllanoviç, me agjitimin të shkaktuar nga komentet e tij është bërë pengesë reale e qeverisjes dhe po vonon procesin e adresimit të sfidave madhore, me të cilat sot po përballet shteti i Kosovës.
“Migrimi masiv në mënyrë ilegale i qytetarëve të pakënaqur, papunësia dhe stagnimi ekonomik janë sfida që nuk presin, andaj Qeveria e Kosovës duhet të tregojë përgjegjësi në realizimin e kërkesave legjitime të protestuesve dhe ta kthejë vëmendjen dhe energjinë tek adresimi i këtyre problemeve”, thuhet në komunikatën e KDI-së.
Qeveria e Kosovës, nuk duhet të tolerojë asnjë zyrtar të saj të bëjë deklarata të pamatura që prekin dinjitetin e qytetarëve dhe integritetin e shtetit të Kosovës, andaj, të veproj sa më parë në shkarkimin e ministrit Jabllanoviq.
KDI po ashtu thekson se Ligji për Ndërmarrjet Publike duhet të kthehet sa më shpejt për shqyrtim në Kuvend, në mënyrë që të definohet statusi i “Trepçës” dhe e njëjta të mos futet si temë në dialogun e shtetit të Kosovës me atë të Serbisë.
KDI kërkon që interpelanca e kryeministrit të jetë një debat konstruktiv në mes të kryeministrit dhe partive opozitare dhe t’i shërbejë zgjidhjes së problemeve.
“Ky është një rast i mirë që Kryeministri Mustafa të reflektojë dhe veprojë karshi kërkesave të qytetarëve”, vlerësohet në komunikatë.
KDI apeloi për protesta të qeta dhe pa dhunë.