Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi i Komunës së Podujevës (KKSB) ka mbajtur mbledhjen e rregullt në të cilën ka analizuar gjendjen e sigurisë në komunë dhe ka formuar grupin punues për përgatitjen e propozim Planit të Punës së KKSB për vitin 2021 dhe Informatën për aktivitetet e këtij organi për vitin 2020, njofton Llapi.info.

Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi në mbledhjen e sotme, të cilën e kryesoi Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, ka shqyrtuar gjendjen e sigurisë në komunë dhe ka trajtuar çështje të tjera.

Lidhur me gjendjen e sigurisë në komunë, togerja Valbona Blakçori, shefe e Sektorit të Operativës në Stacionin Policor në Podujevë, tha se gjendja e përgjithshme e sigurisë është e mirë. Togerja Blakçori, duke raportuar për periudhën nga takimi i fundit i KKSB, 23 tetor 2020-27 janar 2021, tha se gjatë kësaj periudhe në polici janë raportuar 825 raste të veprave të ndryshme.

Gjatë kësaj periudhe, sipas saj, ka pasur rritje të rasteve të dhunës në familje, ndërsa, si sukses të policisë togerja e konsideron identifikimin dhe arrestimin e dy grupeve, prej katër personave, që kanë kryer vjedhje të ndryshme.

Togerja Blakçori tha se Policia është duke zbatuar planin operativ që ka të bëjë me respektimin e masave anti-Covid. Ajo tha se krahas qytetarëve dhe bizneseve për mos respektim të masave kundër koronavirusit, brenda një jave janë shqiptuar 20 gjoba edhe ndaj transportuesve publikë dhe udhëtarëve, për mos respektim të distancës sociale dhe mos bartje të maskave.

Gjatë periudhës raportuese (23.10.2020-27-01.2021), sipas togeres Blakçori, policia ka shqiptuar 1,752 gjoba për mos respektim të masave anti-Covid.Përfaqësuesi i FSK-së, rreshteri Mexhit Jaha, foli lidhur me vërshimet e shkaktuara gjatë kësaj periudhe, duke thënë se ekipet emergjente të Komunës e kanë menaxhuar mirë situatën.

Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, duke e vlerësuar të mirë situatën e sigurisë, tha se nga marrja e detyrës në krye të komunës, është duke bashkëpunuar me organet e sigurisë, veçmas me komandantin e Stacionit Policor në Podujevë.

Kryetari Bulliqi vlerësoi se gjatë periudhës para dhe pas festave të fundvitit në qytet ka pasur ngarkesë të komuniakcionit, për shkak të ardhjes së një numri të madh të bashkatdhetarëve. “Në këtë drejtim kemi ndërmarrë hapa, me krijimin e parkingjeve të reja publike. Por, shkaku i kushteve atmosferike, ky projekt nuk është përmbyllur në tërësi”, tha kryetari Bulliqi.

Kryetari Bulliqi foli edhe për gjendjen me pandeminë COVID-19, duke thënë se vazhdon të jetë shqetësues numri i rasteve të reja, kurse Komuna e Podujevës vazhdon të jetë në zonën e kuqe, sipas katagorizimit të Ministrisë së Shëndetësisë.

Një problem tjetër që vazhdon të paraqet rrezik për qytetarët është edhe prania e madhe e qenve endacakë. Kryetari Bulliqi tha se do të angazhohet që në koordinim me institucionet qendrore të gjendet një zgjidhje për këtë problem.

Kryetari Bulliqi gjithashtu potencoi se gjatë javës së kaluar kishte një takim me drejtorin regjional të Qendrës së Shëndetit Mendor në Prishtinë, Sami Rexhepi, me të cilin ka biseduar për gjetjen e mundësive për trajtim institucional të personave me sëmundje mendore.

Kryetari Bulliqi tha se shumë shpejt personat me gjendje më të rëndë mendore do të transferohen në qendrat përkatëse për trajtim adekuat.Në mbledhjen e sotme KKSB, formoi grupin punues për përgatitjen e propozim Planit të Punës së KKSB për vitin 2021 dhe Informatën për aktivitetet e këtij organi për vitin 2020./Llapi.info

May be an image of 3 people and people standing