Ish-drejtoresha e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, ka ironizuar me kërkimfaljen e presidentit të Çekisë, Milosh Zeman, që të martën i bëri presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për bombardimet e NATO-s gjatë vitit 1999 mbi ish-Jugosllavi.

Kandiq përmes një postimi në Twitter, ia ka kujtuar Zemanit, se i ka kërkuar falje një presidenti, vendi i të cilit ka vrarë gjatë atyre 78 ditëve bombardime të NATO-s, mbi 7.000 civilë shqiptarë.

“Presidenti i Çekisë kërkoi falje për bombardimin e Jugosllavisë dhe me këtë lutje për falje ai ‘zgjidhi traumën disavjeçare të tij’. Pak vite kanë kaluar dhe ai ende nuk ka dëgjuar se ushtria dhe policia e kësaj Serbie të pagabueshme për 78 ditë ka vrarë mbi 7.000 civilë shqiptarë”, ka shkruar ajo.

Ajo ka kritikuar edhe orientimin e presidentit Vuçiq dhe lartësimin që u ka bërë figurave që mohojnë krimet dhe gjenocidin në Kosovë e në vende të tjera ku bëri luftë Serbia.

“Presidenti i Serbisë me ndarjen e Urdhrit Ylli i Karagjorgjeviqit (Peter) Handkes (shkrimtar austriak, proserb) ka nisur luftën kundër botës së civilizuar, fqinjëve dhe secilit prej nesh në Serbi që bartim turpin për gjenocidin e kryer dhe varrezat masive të shkaktuara nga trupat serbe në luftërat e viteve ’90”, ka shkruar ajo.

Kandiq njihet si një prej zërave më të fuqishëm në Serbi, që në vazhdimësi ka denoncuar krimet serbe në Kosovë.