Natasha Kandiq, nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi ia ka kujtuar presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, se kryetari i Komisionit për Personat e Zhdukur në qeverinë e Kosovës është Ramë Manaj, familjarët e të cilit janë zhdukur në prill 1999 dhe mbetjet janë gjetur në një liqen në Serbi.

Kandiq ka shkruar se Odaloviq s’ka kredibilitet moral për të udhëhequr Komisionin për Persona të Zhdukur, raporton Gazeta Express.
“Veljko Odalović nuk ka kredibilitet moral për të udhëhequr Komisionin për Personat e Zhdukur. Ai është kuadri i SPS(Partisë Socialiste të Serbisë që është pasuese e Partisë së Milloshviqit). Familjet e viktimave duhet të propozojnë presidentin e atij Komisioni, një person që nuk është i kompromentuar nga nacionalizmi dhe korrupsioni”, ka shkruar ajo.

“Kryetari i Komisionit për Personat e Zhdukur në qeverinë e Kosovës është Ramë Manaj, djali 18-vjeçar i tij, Ylli, vëllau Smajl dhe disa familjarë janë parë së fundi më 4 prill 1999 në fshatin Kralan. Mbetjet e vëllaut të tij dhe 18 personave të tjerë të cilët u zhdukën në Kralan janë gjetur në Liqenin Perucac. 48 të tjerë janë në listën e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për të zhdukurit”, ka shkruar Kandiq.

Kryeministri Albin Kurti dje në takim me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiq ka propozuar që kreu i delegacionit serb për persona të zhdukur Veljko Odaloviq të largohet nga kjo pozitë pasi ai ka qenë udhëheqës i Kosovës në kohën e regjimit të Millosheviqit.

“Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte “naçelnik i qarkut të Kosovës”, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq”, ka propozuar Kurti dje në Bruksel.

Odaloviq tha për mediat serbe se ishte befasuar pakëndshëm kur kryeministri Kurti, atë dhe Angjelkoviqin i quajti Goebbels dhe Goering.

“Unë nuk kam asnjë problem, nëse jam pengesë, nuk jam dikush që nuk mund të ngrihet. Nëse jam unë problemi për gjetjen qoftë edhe të një trupi [kufome], nëse unë jam kushti, do të jem i gatshëm të tërhiqem. Do të bisedoj me presidentin [Vuçiq], kjo është një çështje serioze dhe unë shumë u befasova për të keq. Mendova se përfaqësuesit e Prishtinës do të dilnin me një plan, ata e thanë që vitin e kaluar në Bruksel. Ne prezantuam lokacionet e interesit tonë, ata të tyre. Ne i plotësuam të gjitha kërkesat e tyre. Ata nuk e zgjidhën asnjë rast tonë.”