Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Komunës së Podujevës, Hajredin Hyseni, përmes një statusi në Facebook u është drejtuar banorëve të këtij qyteti.

Ai në një status të gjatë ka shkruar për vullnetin, besimin, punën, planet e tij e respektimin e ligjit dhe shumë gjëra të tjera për të cilat shprehet se do i realizojë gjatë mandatit të tij si kryetar komune.

Ja edhe shkrimi i plotë i tij:

Të dashur qytetarë të Podujevës, bashkëvendës të mi,
Sot, unë, edhe zyrtarisht, jam kandidat për kreun e komunës së Podujevës, i nominuar nga Partia Demokratike e Kosovës.
Me këtë rast, më lejoni të ju drejtohem secilit nga Ju. Me 22 tetor, obligimi juaj qytetarë do të ju drejtojë drejtë kutive të votimit për të zgjedhur organet e pushtetit tuaj lokal në komunën tonë. Aty do të shprehni vullnetin tuaj dhe besimin për pritjet tuaja në të ardhmen, por edhe vlerësimin për të kaluarën e qeverisjes në komunën tonë. Ju keni dëshmuar deri sot përgjegjësi të lartë në përmbushjen e obligimit qytetarë për të votuar dhe zgjedhur përfaqësuesit tuaj dhe drejtuesit e pushtetit komunal.
Të nderuar bashkëqytetarë,
Gjithmonë në jetën time kam qenë i udhëhequr nga bindja se nuk ka gjë më fisnike se sa t’i shërbej vendit tim dhe bashkëqytetarëve të mi. Këtë e kam ndier dhe ende vazhdoj ta ndiej si obligim. Këtë edhe e kam bërë në të gjitha periudhat e jetës sime deri sot duke u angazhuar për lirinë, për pavarësinë dhe për ndërtimin e shtetit dhe institucioneve demokratike të Republikës sonë.
Kjo më bënë të ndërgjegjshëm ndaj thirrjeve të bashkëpunëtorëve, bashkëveprimtareve, të rinjve dhe bashkëvendësve të mi në komunën tonë, për të hyrë në garë për kryetar të komunës tonë në këto zgjedhje dhe me përgjegjësi të kontribuojë për të mirën e vendit dhe bashkëqytetarëve të mi.
Të nderuar qytetarë,
Jetojmë në kohën kur vendit tonë i duhen angazhime dhe potenciale për të ecur në drejtim të konsolidimit dhe zhvillimit në përputhje me standardet më të avancuara evropiane. Qytetari i komunës tonë ka nevojë për shërbime që do t’i mundësohet jetë me dinjitet, zhvillim të qëndrueshëm social, ekonomik, edukativ dhe kulturorë.
Komuna duhet të jetë dera e parë që hap mundësinë për arritjet tuaja në jetën profesionale, ekonomike e kulturore. Ajo duhet të jetë institucioni ku besimi dhe vlerësimi juaj duhet të reflektojë në çdo hap.
Komuna duhet të jetë adresa e parë e respektimit të ligjit dhe rendit për qytetarët dhe për ofruesit e shërbimeve publike. Komuna duhet të jetë e qytetarëve dhe për qytetarët dhe jo institucion i privilegjeve, përfitimeve dhe keqpërdorimeve. Ne kemi nevojë për rregull, për ligj, për besim dhe vullnet për të ecur drejt horizonteve të avancuara zhvillimore.
Unë jam i përkushtuar dhe kam vullnetin të punojë për të ardhmen e vendit tim, unë besojë në të ardhmen e vendit tonë. Në këtë rrugë do të udhëhiqem vetëm nga dy udhëzues: LIGJI dhe VULLNETI JUAJ.
Ne do të ecim bashkë, pa asnjë përjashtim, drejt ardhmërisë së ndritur dhe të sigurt. Objektivi im kryesor është t’i bëjë qytetarët pjesë të qeverisjes së komunës. Zëri i tyre duhet të dëgjohet në çdo situatë, ligji duhet të respektohet, komuna duhet të ofrojë shërbime dhe të sigurojë qasje në të mirat publike pavarësisht pikëpamjeve politike, për të gjithë qytetarët e vet. E kundërta ka ndodhur deri më sot, dhe kjo duhet të marrë fund më 22 tetor. Shpresa e humbur do të rikthehet si rezultat i vullnetit tuaj të mirë si qytetarë.
Bashkërisht do të hartojmë prioritetet zhvillimore të komunës në të gjitha fushat. Për këtë do të ju ofrojmë edhe programin tonë elektoral i cili do të reflektojë nevojat, kërkesat dhe interesat tuaja.
Andaj, kërkoj besimin tuaj, me qëllim të ecjes drejt të ardhmes sonë!
Ju garantoj se besimi juaj do të jetë obligim dhe përgjegjësi e qeverisjes së drejtuar nga unë.
Hajredin Hyseni – DINI