Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se Serbia duhet të pranojë krimet të cilat kanë ndodhur në Kosovë ndaj popullatës shqiptare, të cilat krime janë kryer nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit gjatë viteve të 90-ta, transmeton Gazeta Sinjali.

Pas fjalimit të Vuçiqit për çështjen e Kosovës, Kamberi ka deklaruar se Serbia duhet të përballet me të kaluarën, ngase kjo temë do të shtrohet edhe në dialogun Kosovë-Serbi që është duke u ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ai ka përmendur edhe rastin e nënkryetares së Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci e cila është e mbijetuar e masakrës në Podujevë, në të cilën iu vranë disa anëtarë të familjes së saj dhe familjes Duriqi.

Kamberi e ka porositur Vuçiqin se në raundin tjetër të dialogut në ekipin kosovar mund të jetë edhe Saranda Bogujevci.

“Mund të ndodhë që në njërën nga raundet e radhës, përballë në tryezën e bisedimeve të keni Saranda Bogujecin, familjen e së cilës e kanë vrarë ‘Shkorpionët’. Njerëzorja në ju nuk do të ju lejojë ta shikoni në sy qetazi”, ka thënë ai.