Aleksandra Joksimoviq, drejtoreshë e Qendrës për Politikë të Jashtme, Beograd, thotë se Serbia ka nevojë për kompromisin. “Duhet fituar dhe humbur diҫka, kur është fjala për Kosovën”, thotë ajo në një intervistë për Deutsche Welle.

Joksimoviq thotë se opsioni i ndryshimit të kufijve është në tavolinë. “Se ҫfarë do të thotë kjo: askush nuk e di me saktësi. Janë përdorur terma të ndryshëm: shkëmbim territoresh, ndarje, korigjim kufinjsh. Është përmenduar edhe termi ‘kufijtë e vitit 1956’ pra kufijtë në ish- Republikën Federale të Jugosllavisë, që ishin krejt ndryshe nga të sotmet. Nuk ka ende ide të qartë se si do të jetë kompromisi”.

A i përmbushi pritshmëritë tuaja konferenca ndërkombëtare “Serbët dhe Shqiptarët – në cilin drejtim?”, e zhvilluar këto ditë në Tiranë, ku ju ishit ndër panelistët të ardhur nga Beogradi?

Joksimoviq: Konferenca u organizua nga Agjencia Jugosllave e Lajmeve, TANJUG dhe ajo shqiptare ATSH. Është shumë e rëndësishme që gazetarët dhe agjencitë e lajmeve të përfshihen në procesin e ripajtimit mes kombeve. Gazetarët mund të kontribojnë për të hedhur hapa përpara në këtë proces.

Si mund t’i përshkruani marrëdhëniet mes serbëve dhe shqiptarëve, të cilët si doli në konferencë kanë yll polar hyrjen në BE?

Joksimoviq: Pavarësisht nga pengesat e mëdha që dalin prej ҫështjes së Kosovës ka shumë hapësira që serbët dhe shqiptarët të bashkëpunojnë në nivele të ndryshme. Së pari të njohin njëri- tjetrin. Mosmarrëveshjet mes tyre vijnë nga shekulli i 19-të. Kemi vetëm 17 vjet që keni filluar të rinjohim njëri- tjetrin, që nga viti 2001 kur u vendosën marrëdhëniet diplomatike. Ka një progres të madh tanimë në marrëdhëniet serbo-shqiptare. Lëvizja e lirë, pa viza, funksionon. Marrëdhëniet ekonomike po zhvillohen. Kemi pasur vizita shumë të rëndësishme në nivelin më të lartë: ato të dy kryeministrave në 2014 dhe 2015, kur kryemnistri shqiptar Rama dhe kryeministri i atëhershëm serb Vuĉiĉ u takuan në Beograd dhe Tiranë. Të dy treguan kurajo për të hapur një faqe të re në marrëdhëniet dypalëshe. Tani kemi një sërë projektesh të përbashkëta të rëndësishme në kuadër të Procesit të Berlinit si autostrada Nish- Tiranë, apo funksionimi i RYCO ( Regional Youth Cooperation) sipas modelit franko-gjerman etj.

Në konferencën, “Serbët dhe Shqiptarët – në cilin drejtim” ju thatë se lidhur me zgjidhjen që do të normalizojë marrëdhëniet Beograd- Prishtinë dhe zhbllokojë progresin e tyre drejt BE në tavolinë janë hedhur ide të reja. Cilat janë ato?

Joksimoviq: Serbia ka nevojë për kompromisin. Duhet fituar dhe humbur diҫka. Në tavolinë janë hedhur për diskutim ide të ndryshme për kompromisin e normalizimit të marrdhënieve. Opsioni i ndryshimit të kufijve është në tavolinë. Se ҫfarë do të thotë kjo: askush nuk e di me saktësi. Janë përdorur terma të ndryshëm: shkëmbim territoresh, ndarje, korigjim kufinjsh. Është përmenduar edhe termi “kufijtë e vitit 1956” pra kufijtë në ish- Republikën Federale të Jugosllavisë, që ishin krejt ndryshe nga të sotmet. Nuk ka ende ide të qartë se si do të jetë kompromisi.

Të gjithë po kërkojnë që Beogradi dhe Prishtina të gjejnë zgjidhjen e tyre, që Fuqitë e Mëdha duhet ta pranojnë. Për fat të keq, interesa të ndryshme mund të përfshihen në atë se ҫfarë lloj kompromisi do të arrijë Beogradi dhe Prishtina. A do të zbatohet tani kompromisi apo do të jetë pjesë e zgjidhjes së ardhshme? Këtë askush nuk e di. Ajo që dihet me siguri është që kompromisi mbetet zgjidhja e vetme. Status quoja nuk është zgjidhje pasi krijon destabilitet dhe kthim prapa. Kriza politike në Prishtinë ka ndaluar procesin për momentin. Shpresoj që në Prishtinë të ketë vullnet për t’u ulur në tavolinën e bisedimeve dhe gjetur zgjidhjen.

Serbia nuk e njeh Kosovën si vend të pavarur. Ndërkohë Kosova është „De facto / De jure” vend i pavarur, vend fqinj me Serbinë, jashtë kontrollit të Serbisë. Lidershipi në Beograd herë e pranon që Kosova ka ikur, ka dalë më vehte, herë jo. Cili është sipas jush raporti mes mospranimit – si pjesë e interesave kombëtare të Serbisë – dhe zhbllokimit të rrugës për të hyrë në BE?

Joksimoviq: Serbia ka interesat e veta kombëtare dhe është e vendosur në rrugën drejt hyrjes në BE. Kjo nuk do të thotë që ҫdo lloj zgjidhjeje është e pranueshme nga Serbia. Por më e rëndësishme është që të dyja vendet të jenë të pa pengesa drejt integrimit në BE. Ky është prioritet për të dyja palët. Mendoj që ky prioritet shtyn Beogradin dhe Prishtinën përpara, pasi kjo do të sjellë zhvillim ekonomik, forcim të institucioneve demokratike dhe zbatim të vlerave europiane. Në këtë moment identiteti europian dhe vlerat europiane janë shumë të rëndësishme

Gjithsesi, a do të jetë në bazë të kompromisit fakti që, edhe pse Serbia nuk e njeh Kosovën, ajo është një vend i pavarur, më vehte?

Joksimoviq: Kosova, vërtet, nuk është nën kontrollin e Serbisë. Por lidhur me përgjigjen e pyetjes suaj kjo do të varet nga negociatat. Por mendoj që zgjidhja nuk do të thotë patjetër që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës. Serbia e ka provuar tanimë që pa idetë e saj nuk mund të vijë normalizimi i marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit. /DW/