Drejtori i OJQ-së “Demokracia Fillon Këtu”, Shemsi Jashari, ka thënë se ekipi nga Podujeva, KF Llapi, u harrua nga krerët e shtetit dhe partitë politike, shkruan Llapi.info.

Ai në një postim në Facebook, duke kritikuar krerët e shtetit, derisa ka thënë se niveli lokal përkrahu dhe uroi Llapin për triumfin në Kupën e Kosovës.

“Porosi për Tahir Batatina, nesër do të dilni në gara Evropiane mos pranoni këta politikan provincial injorantë nga të gjitha partitë të ju vizitojnë në kohë fushate e të bëjnë foto për interes të vetin partiak(LVV, PDK, LDK dhe AAK). Në vitet e fundit, e sidomos tash një vit e këndej, krejt çka kemi dëgjuar ka qenë lajme të këqija për humbjen e jetëve, sëmundje, ankth, panik e izolim që psiqikisht gjatë do ta ndiejmë e vuajmë si pasojë e Pandemisë “COVID19” dhe papërgjegjësisë e pangopësisë për pushtet të një shtrese të papërgjegjshme politike. Nevoja për lajme të mira e pozitive dhe pak shpresë është bërë nevojë edhe shëndetësore, çuditërisht kur “rrallë” ndodh të kemi lajme të mira kalojnë në heshtje dhe injorohen sidomos nga ata(politikanët) që duhet të orientojnë dhe ti japin jehonë këtyre lajmeve nëse për asgjë tjetër të pakën për pak kohë të harrojmë zymtësinë në të cilën jemi për fajin e tyre”, ka shkruar ai.

Më tej, Jashari ka shtuar finalja e Kupës së Kosovës, sipas tij, ishte ngjarja më e madhe e futbollit kosovar.

“Ishte loja e futbollit për “Kupën e Kosovës” (që njihet si kupa Presidenciale ngase tradicionalisht është ndarë nga Presidenti) të cilën e fitoj “KF LLAPI” e cila na solli pak emocion në nivel vendi, e si llapjanë na solli shumë emocion e gëzim pasi ishte hera e parë që kupa vinte në Llap dhe hapej rruga për pjesëmarrje në gara evropiane. Kjo si duket nuk u pëlqeu krerëve të shtetit(Presidente, Kryeministër, Kryekuvendar) dhe krerëve të partive politike(LVV, PDK, LDK, AAK) pasi asnjëri nuk e uroi suksesin e klubit “KF LLAPI” ishte ngjarja më e madhe e futbollit ne nivel vendi. Nejse, një ngjarje e nivelit qendror u përshëndet nga niveli lokal i institucioneve, kryetari i komunës, kryeimami i BIK-ut, dhe disa deputetë llapjanë, janë të vetmit që iu gëzuan këtij suksesi për çka duhet përshëndetur”, ka shkruar Jashari.

Llapi e ka fituar Kupën pas ekzekutimit të penalltive 4:3 ndaj Dukagjinit, derisa koha e rregullt dhe ajo dy herë nga 15 minuta përfundoi baras. Me triumfin në Kupë, ekipi nga Podujeva ka siguruar edhe daljen në Evropë, përkatësisht në Ligën e Konferencës./Llapi.info