Numër i madh është regjistruar si të papunë gjatë vitit 2017 në pesë komuna të Kosovës. Janë 2571 veta që kanë kërkuar punë në Agjencinë e Punësimit, prej tyre 1267 femra dhe 1304 meshkuj.

E ndër ta, sipas zyrtarit të lartë për masa aktive dhe analiza në tregun e punës, Shpëtim Kalludra, janë edhe 41 veta që kanë përfunduar studimet master, shkruan sot “Koha Ditore”. Ndërkohë që kanë arritur të punësohen të rregullt 493 veta në komunat Prishtinë, Podujevë, Obiliq, Fushë-Kosovë dhe Obiliq.

Sipas të dhënave tabelare të dërguara nga zyrtari Kalludra, më së shumti punëkërkues janë regjistruar në Prishtinë 1175 (650 femra-525 meshkuj), pastaj në Graçanicë 447 (188 femra-259 meshkuj), Podujevë 410 (187 femra-223 meshkuj), Fushë-Kosovë 295 (147 femra-148 meshkuj) dhe në fund në Obili 244 (prej tyre 95 femra-149 meshkuj).

Sipas zyrtarëve të Agjencisë së Punësimit ka rënie në regjistrimin e punëkërkuesve në këto komuna. Në tabelën e dërguar ku janë shënimet e punëkërkuesve të regjistruar prej janarit të vitit 2000 e deri më 31 dhjetor 2017, janë 17015 punëkërkues në këto pesë komuna. Prej tyre 7740 femra dhe 9275 meshkuj. Kryeqyteti është i pari edhe këtu me 7148, pastaj Podujeva 4498, Fushë-Kosova 2099, Obiliq 1773 dhe Graçanicë 1497.

Zyrtarët e Agjencisë së Punësimit thonë se mund të ketë numër edhe më të madh të të papunëve, por që nuk janë regjistruar në zyrat e punësimit.