Ja sa e paguan Serbia sloganin “Kosova është zemra e Serbisë”

Që nga viti 1999 prej buxhetit të Serbisë paguhen punëtorët e ndërmarrjeve publike nga territori i Kosovës, prej të cilave shumica nuk funksionojnë nëpër vende ku janë regjistruar.

Në rastin e ndërmarrjeve të cilat janë pjesë e EPS (Elektro Ekonomia e Serbisë), këto ndërmarrje nuk menaxhojnë me pasurinë e tyre themelore, por ende i punësojnë më shumë se 4.300 punëtorë të cilët i paguan EPS-i. Këto firma me vite askujt nuk i kanë dhënë llogari. Në EPS pohojnë se është vënë kontrolli. Mirëpo, nga raportet financiare shihet se këto ndërmarrje edhe më tutje punojnë me humbje të mëdha, shkruan Insajderi serb, transmeton Gazetametro.net.

Për Serbinë formalisht edhe më tutje funksionojnë ndërmarrjet publike serbe në Kosovë, njësoj si para luftës. Mirëpo, realiteti është se këto ndërmarrje në shumicën e rasteve punojnë vetëm në mënyrë fiktive.

Në sajtin e EPS theksohet qartë se kjo ndërmarrje publike nuk menaxhon me kapacitetet në Kosovë. Fjala është për tri ndërmarrje të cilat janë pjesë e EPS-së:

“Mihjet sipërfaqësore të thëngjillit Kosova”, në Obiliq

“Termoelektranat Kosova”, në Obiliq

“Elektrokosmet”, ndërmarrje për distribucionin e rrymës, Prishtinë.

Të gjitha këto ndërmarrje kanë gati dy dekada adresat e veta të përkohshme në Beograd.

Në këto tri ndërmarrje edhe më tutje janë të punësuar 4.359 punëtorë nga Kosova. Sipas vendimeve të mëhershme, EPS për këta punëtorë siguron 60 për qind të rrogës.Sipas raporteve financiare për vitin 2015, EPS për rrogat e këtyre punëtorëve i ka ndarë më shumë se pesë miliardë dinarë (rreth 41 milionë euro) vetëm gjatë një viti.

Përkundër statusit të cilin këto tri ndërmarrje nga Kosova kanë në kuadër të EPS, duka pas parasysh se kjo ndërmarrje publike gjithqysh paguan 60 për qind të fitimit të gjithë të punësuarve dhe se për çmim të plotë janë angazhuar dhe paguar në punët e ndryshme në EPS, çdonjëra nga tri ndërmarrje punojnë me humbje.

Humbjet e ndërmarrjeve të EPS nga Kosova në vitin 2015:

“NP Mihjet sipërfaqësore të thëngjillit Obilic – humbja 5.1 miliardë dinarë

“NP Termoelektranat Obilic – humbja 2.7 miliardë dinarë

“Elektrokosmet” – humbja gjysmë miliardi dinarë

Edhe pse fjala është për ndërmarrje të cilat punojnë me humbje dhe plotësisht varen prej EPS., udhëheqësia e këtyre ndërmarrjeve ndërrohet me ndërrimin e qeverisë, gjegjësisht paraqesin pjesë e plaçkës politike të cilën e ndajnë partitë në këtë koalicion dhe ato të mëparshmet, transmeton Gazetamatro.net.

Sipas hulumtimeve të Insajderit serb, revizioni i brendshëm i EPS qysh në vitin 2011, ka ndërmarrë kontroll për tri ndërmarrje nga Kosova dhe ka konstatuar një numër të madh të parregullsive, në bazë të cilave mund të konstatohet se këto firma me vite kanë shërbyer për zhvatje të parasë nga ndërmarrja më e madhe publike në Serbi.

Në raportet deri te cilat kanë ardhur gazetarët e Insajderit, është përshkruar se si ndërmarrjet e EPS nga Kosova i kanë angazhuar firmat private të cilat i kanë paguar edhe për shërbime të cilat janë vonuar. Janë nënshkruar kontrata me të cilat as nuk janë paraparë penalizimet për vonesa. Ka ndodhur edhe ajo që sasia e mallit e cila ishte furnizuar në përputhje me tenderin e shpallur të rritet për disa herë.

Një nga rastet i cili tregon se si kanë funksionuar këto ndërmarrje është edhe arrestimi i Dragan Radakovic, ish drejtor i përgjithshëm i ndërmarrjes Mihjet sipërfaqësore Kosova në Obilic. Atë policia kriminale e arrestoi në maj të vitit 2013 bashkë me Radosav Barjaktarevic’in, drejtorin e firmës Plodoprom. Dyshohej se kanë dëmtuar ndërmarrjen publike me kontratën e vitit 2004 sipas të cilës Ndërmarrja publike kësaj ndërmarrjeje private i ka paguar qiranë e parcelës në çmim prej 1.500 euro në muaj. Përveç kësaj Ndërmarrja publike ishte obliguar që në atë parcelë të ndërtojë hapësirë afariste prej 1.000 m2, e cila pas përfundimit të kontratës në vitin 2014 do t’i takojë ndërmarrjes private Plodprom.

Mirëpo, ky është një prej rasteve të rralla me të cilën janë marrë organet kompetente kur është fjala për ndërmarrjet nga Kosova.