Ja ku e kalojnë kohën shumica e të rinjve në Tetovë! (Foto)

Ja ku e kalojnë kohën shumica e të rinjve në Tetovë! (Foto)

Kafenetë e mbushura plot, facebook-u dhe rrjete tjera sociale, temat politike dhe muhabetet e gjata…, sipas anketës së bërë nga Portalb, e përbëjnë ditën e zakonshme të pjesës më të madhe e të rinjëve tetovarë

Mungesa e aktiviteteve bën që të rinjtë të kenë shumë kohë të lirë, gjë që më pas lind problematikën e mos-shfrytëzimit adekuat të saj, thonë të anketuarit.

Këtë e pohon Emira Aliu, për të cilën qyteti ka shumë mungesa. Ai ka mjaftë të rinjë energjikë, mirëpo ballafaqohet me mungesa të dukshme infrastrukturore, me shumë pak aktivitete kulturore e sportive dhe me papunësi.

“Kohën time të lirë, thotë Emira Aliu për Portalb, ia kushtoj leximit dhe shkrimit. Natyrisht se pjesën tjetër e kaloj si shumica tjetër me shoqëri dhe në rrjete sociale”.

I riu Fisnik Islami e pranon se te të rinjtë ka lëshuar rënjë politika. Ai thekson se ditët kalojnë duke pritur me shpresë të nesërmet e mira. “Shumica na thonë pse rrimë kafeneve, po çka të bëjmë, me çka të merremi? Zgjohesh i pa punë, endesh i papunë, bie i papunë, me strese gjithë kohës”, thotë Islami.

Po të kishte qendra sportive, po të kishte kinema e biblioteka moderne ndoshta nuk do të bredhnim kafeneve gjithë ditën thotë Shemsedin Aliu. Mes tjerash ai tha:

“Nuk është i joni i gjithë faji që jemi shëndruar në parazit. Nuk ka një qendër sportive, një kinema, varemi nga xhepi i prindërve dhe mjaftohemi me 2-3 orë nëpër kafene. Pjesa tjetër të kohës personalisht e kaloj në facebook. Jam i vetëdijshëm se është kohë e harxhuar kot por edhe shteti duhet të jetë i vetëdijshëm dhe të na krijoj kushte elementare për një jetë më të mirë”.

Jo të gjithë zgjedhin që pjesën më të madhe të kohës së tyre ta kalojnë nëpër kafene dhe nëpër rrjete sociale.

“Koha ime i takon artit, leximit dhe spirituales. Unë e dua të dobishmen. Më pëlqen t’ia kushtoj kohën time leximit dhe shkrimit”, thotë Kaltrina Sadiku duke sthuar: “kjo gjë s’do të thotë që jam tërësisht e izoluar nga bota. Edhe argëtimi është pjesë e rutinës sime. Daljet me shoqërinë, psonisja dhe gatimi. Njeriut i duhet balancë dhe shoqërisë sonë vetëdijësim”.

Përgjithësisht, kësisoj e kalojnë kohën e lirë shumica e të rinjëve tetovarë te të cilët vërehet dëshira për të pasur një qytet të mbushur me më shumë aktivitete.