Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka vizituar sot Fondin e Sigurimit Shëndetësor.

Në këtë vizitë, Ismaili ka takuar drejtorin e Fondit, Fatmir Plakiqin dhe të gjithë punëtorët të cilët punojnë aty.

Pas këtij takimi, Ministri i Shëndetësisë ka thënë se fundi i këtij viti do ta gjejë Kosovën me funksionalizimin e plotë të Fondit.

“Vitin e kaluar kam thënë se 2019-ta do të jetë viti i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Në vizitën që pata sot në këtë institucion, unë i sigurova edhe një herë për mbështetjen time të plotë në punën e tyre. Së bashku me drejtorin e Fondit, Fatmir Plakiqin, këtë vit do të orientojmë të gjitha kapacitetet tona që fundi i vitit të na gjejë me funksionalizimin e plotë të Fondit”.

Më tej, ai ka dhënë edhe një lajm të mirë, duke treguar se nga gjysma e këtij viti, do të nisë edhe kompensimi i Barnave Jashtëspitalore.

“ Nga gjysma e dytë e këtij viti, për herë të parë në Kosovë, do të fillojmë edhe me kompensimin e barnave jashtëspitalore, si hapin e parë konkret drejt qëllimit final: sigurimet shëndetësore”, ka shkruar ministri Ismaili.