Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka treguar se çmimet e barnave, të cilat qytetarët po i blejnë, e që dallojnë nga barnatorja në barnatore, do të nivelizohen dhe do të blihen me çmime të njëjta.

Ai ka thënë se këtë iniciativë e ka marrë pas shumë ankesave të qytetarëve dhe vizionit tij që t’i ndaloj padrejtësisë të cilat u kanë ndodhur atyre për vite me radhë.

“Që nga fillimi i mandatit kam marrë shumë ankesa të qytetarëve se çmimet e barnave, të cilat ata po i blejnë, dallojnë nga barnatorja në barnatore, duke i vënë ata para detyrimit që të bëjnë shpenzime të larta. Por, edhe kësaj padrejtësie që ka dëmtuar xhepin e qytetarëve për rreth dy dekada, po i japim fund”, ka thënë Ismaili.

“Përmes iniciativës për finalizimin e Udhëzimit Administrativ për rregullimin e çmimeve të barnave, qytetarët tanë, kudo që jetojnë, në fshat ose në qytet, do të mundë ta blejnë ilaçin e tyre me çmim të njëjtë në të gjithë Kosovën. Gjithë këtë po e bëjmë që t’i mbrojmë qytetarët tanë nga shpenzimet dhe t’i ndihmojmë farmacistët që të orientohen vetëm në ofrimin e shërbimit profesional farmaceutik”, ka përfunduar ai.