Kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës nga radhët e Ballit Kombëtar, Gazmend Islami, ka kritikuar qeverisjen e tanishme të VV-së, por edhe atë të LDK-së, për ngecjen e zhvillimit ekonomik në këtë Komunë, raporton Llapi.info.

Në debatin me kundërkandidatët e tij në RTK, Islami ka premtuar se do të krijohet një zonë industriale në fshatin Livadicë, pasi që siç ka thënë ai, të gjitha bizneset po ikin nga Llapi.

“Ne kemi hartuar një plan të shpejtë për shkak të pandemisë. Ne kemi menduar t’i investojmë 150 mijë euro për sensibilizimin e qytetarëve për vaksinim, në mënyrë që të mos ketë një mbyllje totale. Plani për zhvillim ekonomik është përkrahje për bizneset, krijimi i zonës industriale pasi po na ikin bizneset llapjane. Mendojmë ta ndërtojmë në Livadicë afër Merdares, pasi aty hynë të gjitha mallrat. Deri më tani nuk ka pasur marketing për bizneset nga të gjitha qeverisjet. Do ta funksionalizojmë tregun e gjelbër”, ka thënë Islami.

Më tej, Islami ka kritikuar qeverisjen aktuale të Lëvizjes Vetëvendosje, duke shtuar se nuk ka pasur ndryshim nga qeverisja e kaluar e LDK-së.

“Bulliqi nuk ka sjellë frymë të re. Kandidatët tjerë kanë qeverisur në këtë Komunë. Unë me ndershmëri më të lartë dhe jam ballëhapur para gjithë qytetarëve”, tha Islami kur është pyetur se pse duhet votuar ai./Llapi.info

VIDEO