Gazeta zvicerane “Blick” ka raportuar se në mishtoren e madhe “Luthi & Portmann” në Deisswill bei Munchenbuchsee në Bern të Zvicrës, një kosovar ka rezultuar pozitiv me koronavirus.

Është njoftuar se kosovari ishte kthyer nga pushimet që kishte bërë në Kosovë dhe menjëherë doli në punë. Raportohet se ai tash është i shtrirë në spital me simptome të rënda të koronavirusit.


Punëdhënësi është përballur me kritika pasi ka qenë në dijeni të itinerarit të punonjësit kosovar dhe nuk kërkoi karantimin e tij me t’u kthyer në Zvicër.

Mirëpo, kompania thotë se kur është kthyer kosovari nga pushimet më 29 qershor, nuk ishte rregulli për karantim dyjavorë të personave që vinin nga vendet e rrezikshmërisë.

“Korona-alarm te mishtorja e madhe ‘Luthi & Portmann’ në Deisswill bei Munchenbuchsee në Bern. Blick ka mësuar se një punëtor pasi është kthyer nga vendi i rrezikshmërisë, Kosova, menjëherë është paraqitur në punë. Mbikëqyrësi kishte qenë në dijeni për itinerarin e punëtorit, por nuk ka urdhëruar karantinën. Tash kosovari ka rezultuar pozitiv. Sipas disa burimeve, punonjësi ka një rrjedhë të rëndë të koronavirusit. Ai madje është në spital”, ka shkruar Blick.

Shefi ekzekutiv i Luthi-Gruppe, Paul Luthi, e ka konfirmuar rastin me koronavirus. Ai ka thënë se nuk është në dijeni për gjendjen shëndetësore të kosovarit, por ka thënë se ai punon në depo dhe se nuk ka rrezik për konsumatorët, pasi ai vetëm dërgon mishin që është i paketuar tashmë.

Ai ka treguar se punëtori është kthyer më 29 qershor, ndërsa simptomet kanë filluar pas një jave.

Gjashtë bashkëpunëtorë të tij kishin pasur po ashtu simptome.

“Ka pasur disa punëtorë që kanë pasur simptome, por ata kanë rezultuar negativë në testet për koronavirus”, ka thënë Luthi.

Luthi ka insistuar se në kompaninë e tij i përmbahen gjitha masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.