Çështja e Kosovës e ka ngjallur një skandal në Ishujt Maldive, vend ky që pavarësinë e shtetit më të ri në Evropë e njohu në shkurt të 2009-tës, gati një vit pas shpalljes së pavarësisë.

Ish-ministri i Jashtëm i Maldiveve, Ahmet Shaheed po akuzohet se mori 2 milionë dollarë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, transmeton lajmi.net.

Mediat nga Maldivet kanë raportuar sot se është ngritur një mocion i cili i bën thirrje parlamentit të këtij shteti që hetimit t’i shkohet deri në fund.

Mocioni është ngritur nga deputeti i Kuvendit të Maldiveve, Mohamet Nasheed.

Gjithnjë sipas asaj që raportohet në shtypin e këtij shteti, policia nuk kishte arritur të gjente prova se ish-ministri i Jashtëm ka marrë një shumë të tillë për ta njohur Kosovën.

Më tutje, mocioni i paraqitur në parlamentin e këtij shteti citon edhe deklaratat e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, përmes të cilave ata pretendojnë se i njëjti ka pranuar se ka shpenzuar para për lobim në të mirë të rritjes së numrit të vendeve që e kanë njohur Kosovën.

Sipas mocionit, fakti që për këtë çështje nuk është kryer hetim i plotë, duhet të rikthehet në vëmendje të parlamentit të Maldiveve dhe qytetarëve të këtij vendi.

Madje kërkesat e parashtruara në këtë mocion shkojnë edhe më tutje ; aty kërkohet që të rishikohet vendimi për njohjen e Kosovës, nëse një veprim i tillë është ndërmarrë në pajtim me standardet ndërkombëtare.

Ishujt Maldive e kanë njohur Kosovën saktësisht më 6 shkurt të vitit 2009. Atë kohë, konfirmimin për njohje e kishte marrë ministri aktual i Jashtëm, Behgjet Pacolli.

Ishujt Maldive kanë territor 300 kilometra katrorë. Përbëhet nga më tepër se 280 ishuj të grupuar në 19 atole (divizione administrative).

Maldivet kanë 385 mijë e 925 banorë. /