Edhe Fellaini ka dal pozitiv me koronavirus

Ish-mesfushori i Manchester United, Marouane Fellaini, është futbollisti i fundit që ka rezultuar pozitiv me Koronavirus, raporton Gazeta Express.

32-vjeçari, i cili aktualisht luan në Superligën Kineze për Shandong Luneng, u testua pozitiv për Covid-19 të premten, sapo u kthye me tren në qytetin Jinan.

Tani ai është në izolim në spitalin e Jinanit, i cili është specializuar në sëmundjet infektive.

Vet mesfushori e ka konfirmuar infektimin me COVID-19.

“Të dashur miq, unë jam testuar për Koronavirus dhe rezultati im i testit është pozitiv. Faleminderit tifozëve, stafit mjekësor dhe klubit për kujdesin dhe vëmendjen e tyre. Do të ndjek trajtimin dhe shpresoj të kthehem në lojë sa më shpejt të jetë e mundur. Ju lutem të gjithëve, qëndroni të sigurt!”, shkroi ai në Instagram.

Pandemia e Koronavirusit pati një ndikim të menjëhershëm në botën sportive, sa detyroi të gjitha Federatat e disiplinave të ndryshme të ndërpresin evenimentet madje edhe stërvitjet e skuadrave.

Edhe UEFA e ka shtyrë Kampionatin Evropian për vitin 2021.