Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se ata të cilët kanë kultivuar korrupsionin dhe nepotizmin nuk mund ta luftojnë as njërin e as tjetrin.

Mustafa ka thënë se ata vetëm mund ta reformojnë dhe ta riorganizojnë për nevoja të veta, duke iu drejtuar tërthorazi kreut të PDK-së, Kadri Veselit, i cili gjatë ditës së sotme ka thënë se buxheti për të rinjtë do të trefishohet, duhet shtuar se do të çrrënjoset korrupsioni dhe nepotizimi, që po ndikon në demotivimin e të rinjve për të jetuar në vend.

“Ata që lidhën kontrata të dyshimta dhe të dëmshme në Telekom; ata të aferës së pasaportave; ata të vjedhjes së dhomës së dëshmive; ata që i mbushën kompanitë publike me njerëz partiak; ata që fabrikuan dhe nënshkruan vërtetime të rrejshme për veteranë të luftës; ata që e katandisën paranë publike- ata…. duhet të shkojnë në lavazh, të pastrohen mirë, brenda e jashtë. Jo të qeverisin me Kosovën”, ka shkruar Mustafa në një shkrim në Facebook, transmeton Telegrafi.

Vlen të përmendet se gjatë ditës së sotme Mustafa ka zhvilluar një takim me kreun e VV-së, Albin Kurtin, ku kanë diskutuar për situatën e krijuar politike.

Pas takimit, Mustafa ka thënë se me Kurtin janë pajtuar jo vetëm që vendi duhet të shkojë sa më parë në zgjedhje por duhet të rezultojë një qeveri që ua kthen shpresën qytetarëve, veçanërisht rinisë.