Ka marrë përmasa të reja diskriminimi që shteti i Spanjës ua ka bërë karateistëve kosovarë, duke mos i lejuar që të garojnë me simbole shtetërore në kampionatin botëror që të dielën përfundoi në Madrid.

Diskriminimi që u mbajt thuajse në heshtje nga autoritetet sportive të vendit, ka ngjallur reagimin e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (IOC), organizatës kryesore sportive në botë. IOC-ja u ka thënë Federatave Ndërkombëtare sportive që të mos i japin Spanjës ngjarje të mëdha për të organizuar, derisa ajo të mos garantojë trajtim të barabartë për Kosovën, shkruan sot Koha Ditore.

Deri më tash, Spanja ka refuzuar të bëjë këtë. Spanja nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe as pasaportat e tij, ndërsa diskriminimi ndaj karateistëve nuk është i pari që bëhet ndaj sportistëve kosovarë.