Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike gjatë mbikëqyrjes permanente të sëmundjeve ngjitëse në Kosovë, përmes sistemit të mbikëqyrjes të situatës epidemiologjike ka konstatuar se rastet e gripit sezonal kanë shënuar rënie.

Nga 01 Tetori 2018 deri më 22 mars 2019 në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike janë raportuar gjithsej 51.372 raste të dyshimta në grip (ILI), 6.067 raste ARI (Infeksion Respirator Akut) dhe 94 raste SARI (Infeksion i Rëndë Respirator Akut). Rastet raportohen nga të gjitha komunat e Kosovës. Numër më i madh i rasteve raportohet nga komuna e Prishtinës, Prizrenit, dhe Podujevës.

Gjatë javës së 11’të janë raportuar 4.999 raste ILI, 343 raste ARI dhe 8 raste SARI.

“Në laboratorin e Qendrës kombëtare të gripit-IKSHPK deri më 21 mars 2019 janë testuar gjithsej 974 mostra të dyshimta në Influencë dhe prej tyre 395 raste rezultojnë pozitive në Influencën tip A (pozitiviteti 40.4 %). Sipas subtipit 317 mostra Influencë A e pa- subtipizuar dhe 76 mostra rezultojnë pozitive në sub-tipin AH1pdm09 dhe 1 mostër rezulton pozitive në AH3”, thotë IKSHK’ja.

Po sipas këtij Instituti, Hospitalizimet: Në Klinikën Infektive, Klinikën e Pediatrisë dhe spitalet rajonale nga 1 tetori 2018 deri më 22 mars 2019 janë hospitalizuar 602 rast me Dg. Bronchopneumonia (ARI), 291 raste me Dg. ILI dhe 94 raste me Dg.SARI. Brenda 24 orëve të fundit janë hospitalizuar 5 raste me Dg.Bronchopneumonia (ARI) dhe 5 raste me Dg.Infiltratio Pulmo.

IKSHK’ja ka rekomanduar që të gjithë personat që ndjehen të sëmurë duhet të paraqiten sa më herët te mjeku familjar për të parandaluar komplikimet.

Epidemiologët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë së Kosovës vazhdojnë të përcjellin me vëmendje ecurinë epidemiologjike në rajon, Europë dhe botë. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë së Kosovës janë në kujdestari dhe teren për t’u përballur me situatën epidemiologjike sipas standardeve dhe protokoleve të OBSH, ECDC dhe CDC dhe për çdo ndryshim të situatës do të informoheni me kohë.

Komiteti SHSKUK konstaton se:

Klinika Infektive ka raportuar tri raste të reja të vdekjes me Influenza A. Pacientët e diagnostikuar me Influenza A kanë pasur sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator, kanë ardhur me vonesë në QKUK, asnjë nga familjet e tyre nuk ka pranuar të bëhet autopsia dhe nuk ka qenë të vaksinuar me vaksinën e gripit sezonal.

Epidemia e gripit sezonal shënon rënie në intensitet dhe po shkon drejt pragut epidemik, por akoma ka raste me ashpërsi klinike për shkak të ko-morbiditetit me sëmundje kronike të cilave gripi ua komplikon gjendjen,

Rekomandimet e gjertanishme të Institutit Kombëtar dhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universistar mbeten në fuqi dhe vlejnë për tërë territorin e Republikës së Kosovës, duke ritheksuar edhe njëherë masat e domosdoshme në të gjitha institucionet shëndetësore.

Rekomandojmë Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë që të gjitha institucionet parashkollore, fillore dhe të mesme (publike dhe private) ku fëmijët dhe nxënësit kanë shenja dhe simptoma të gripit (temperaturë të lartë, lodhje, rrjedhje hundëve, dhimbje fyti, kollë, barkqitje dhe vjellje, dhimbje koke, barku dhe muskujsh) t’i shmangen kontaktit me nxënës të shëndoshë dhe të qëndrojnë në shtëpi, duke iu përmbajtur rekomandimeve të mjekut. Ky rekomandim do të vazhdojë edhe gjatë muajit mars.

Instituti Kombëtar dhe SHSKUK përsërisin rekomandimet për qytetarët që të kenë kujdes mos të dalin në ambient të ftohtë, të mos qëndrojnë në lokale të mbyllura me dendësi të madhe të njerëzve dhe të përdorin sa më shumë lëngje të nxehta dhe vitamina.

Ministria e Shëndetësisë tashmë ka siguruar vaksinat që nga 1 tetori 2018 dhe janë distribuar nga IKSHPK në çdo QKMF në Kosovë andaj qytetarët e moshuar dhe me sëmundje kronike rekomandohen akoma që të vaksinohen. Vaksinimi i gjertanishëm në Kosovë ka treguar një efikasitet dhe ulje të rasteve të hospitalizuara. Për sezonin e ardhshëm Ministria do të sigurojë 100.000 doza me prioritet për të sëmurët kronik dhe të moshuarit.

Aktiviteti i Influencës ka përfshirë tërë rajonin Evropian. Mostrat e grumbulluara nga pacientët e qendrave sentinel me ILI ose ARI tregojnë për një pozitivitet në Influencë prej 53 %. Influencë A virusi me subtipin A(H1N1) pdm09 vazhdon të ko-qarkullojë dhe dominon pak ndaj subtipit A(H3N2). Ndërsa virusi B është detektuar vetëm në disa mostra.

Instituti Kombëtar ka dërguar rekomandime të gjitha institucioneve shëndetësore në vend për masat për parandalimin e gripit sezonal dhe do të informojë rregullisht për ndryshimet në situatën epidemiologjike Ministrinë e Shëndetësisë dhe OBSh.