Infektologu Sali Ahmeti thotë se gjatë këtij muaji situata në Klinikën Infektive sa i përket coronavirusit është më e mira që nga fillimi i pandemisë.

“Nëse krahasojmë këtë periudhë me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, situata është pakrahasimit e qetë. Por nuk do të thotë se nuk mund të kemi befasi. Shpesh herë coronavirusi na ka sjell befasi jo të mira dhe na ka zënë pa përgatitur”, tha Ahmeti në RTV Dukagjini.

Infektologu thotë se pavarësisht se situata është e mirë, qytetarët nuk duhet të mendojnë se pandemia ka përfunduar.

“Duhet të shohim se në vendet me të cilat ne kemi kontakt, janë vende që kanë prani të madhe të coronavirusit, sidomos versionit Delta”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ai thotë se një mijëra mutacionet e coronavirusit, varianti Delta po del të jetë më i pranishmi ën vende të ndryshme të botës dhe po del të jetë më problematiku.

“Sipas disa të dhënave nga OBSH, deri në fundit të gushtit, varianti delta pitet të përbëjë 90% të infektimeve në Bashkimin Evropian”.

Megjithatë Ahmeti thotë se edhe ky variant nuk ka ndonjë veçori të veçantë në aspektin klinik.

“Me këtë virus dhimbja e kokës është më e theksuar, si dhe rrjedhja e hundëve. Mirëpo varianti Delta përhapet shumë më lehtë dhe për dallim nga varianti origjinal, ky variant nuk kursen as moshat e reja”.

Ahmeti thotë se vaksinat që ka Kosova në dispozicion mbrojnë edhe nga varianti Delta i coronavirusit.

“Llogaritet se një dozë ka efektshmëri të mbrojtjes deri në 78%, dhe me dozën e dytë mbrojtja shkon deri në 94%”.

Infektologu thotë se situata aktuale në Kosovë sa i përket coronavirusit është i rezultat i shumë faktorëve, duke përfshirë masat mbrojtëse, vaksinimi i popullsisë, por që sipas tij edhe që një numër i madh i qytetarëve tashmë e kanë kaluar virusin.

“Sipas disa të dhënave preliminare që i kemi, diku 35% – 40% e popullatës në Kosovë e kanë kaluar tashmë virusin, por është pozitive që edhe një pjesë e madhe e moshave të shtyra janë vaksinuar”, deklaroi ndër të tjera infektologu Sali Ahmeti./Telegrafi/