Infektologu Valbon Krasniqi ka thënë se 37 pacientë që kanë rezultuar me coronavirus janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive.

Krasniqi në RTV Dukagjini thotë se një paciente e gjinisë femër e moshës 73 vjeçare është në gjendje pak më të rëndë në krahasim me të tjerët.

“Është dita e saj e gjashtë që është shtrirë në klinikë dhe vështirë se mund ta parashikojmë gjendjen e saj shëndetësore”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Infektologu thotë se është pozitive që nuk ka hapje të vatrave të reja pasi shumica e rasteve të paraqitura janë raste kontakti.

“Kemi 3-4 raste në Prishtinë që nuk po mundim të identifikojmë burimin e kontaktit të infeksionit, por jemi duke parë me vëmendje kontaktet që kanë pasur dhe burimin e mundshëm të infeksionit. Sa më shpejt që të zbulohet burimi i infeksionit është më mirë pasi shkëputet zinxhiri i infeksionit qysh në rrethin e parë të kontakteve”.

Deri në momentin që po raportojmë, ende nuk kanë dalë rezultatet për testimet e ditës së sotshme, por Krasniqi thotë se sot janë pranuar rreth 23 raste për testim ndërsa Instituti i Shëndetit Publik ka dalë në terren për të marrë disa tjera.