Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino ka paralajmëruar futbollin që të përgatitet për më të keqen, por ai ka thënë se FIFA do të bëjë çdo gjë në mundësi të saj për të ndihmuar.

Në këto kohë sfiduese, ku futbolli është pezulluar në gjithë botën për shkak të krizës së koronavirusit. FIFA është duke tentuar të ndihmojë organizatat që po vuajnë më së keqi ekonomikisht.

Por, presidenti i FIFA-s thotë se nuk ka garanci që futbolli do të nisë së shpejti.

“Shëndeti është primar, më pas vijnë gjërat tjera. Për trajnerët, lojtarët e të tjerët nënkupton që të shpresojnë për më të mirën, por të përgatiten edhe për më të keqen. Pa panik, por të themi qartë: ne do të luajmë sërish kur të jetë e mundur të bëjmë pa rrezikuar shëndetin e ndokujt. Federatat dhe ligat janë të gatshme të ndjekin rekomandimet e qeverive dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Unë falënderoj mjekët, infermieret dhe gjithë ata që rrezikojnë jetët e tyre për të shpëtuar jetët e tjerëve. Ata janë heronj”, ka thënë Infantino në një deklaratë për “La Gazzetta dello Sport”, transmeton Koha.net.

Ai ka thënë se FIFA mund të ndihmojë në shumë mënyra dhe është duke bashkëpunuar me konfederata të ndryshme, përfshirë UEFA-n në Evropë.

“Ne kemi treguar shpirt bashkëpunimi dhe solidariteti me Evropën dhe Amerikën e Jugut. Tash, të mendojmë për kalendarin e përfaqësueseve, për modifikim të përkohshëm dhe përshtatje të rregulloreve për statusin e lojtarëve dhe transferimeve. Ne duhet të mbrojmë kontratat dhe të adaptojmë periudhat e regjistrimit. Duhet të merren masa. Por, nuk kemi opsion tjetër. Të gjithë duhet të bëjmë sakrifica. FIFA ka një marrëveshje katërvjeçare të bashkëpunimit me OBSH-në për të promovuar stil të shëndetshëm të jetës. Por, kjo është një emergjencë. Ne kemi nisur një kampanjë vetëdijesimi me gjashtë top-trajnerët duke kërkuar të ndjekin pesë taktike kyçe: duart, bërrylat, fytyra, distanca dhe kontakti”, ka shtuar Infantino.

Infantino ka konfirmuar se FIFA ka përdorur kursimet që ka për krizë potenciale të brendshme për të ndihmuar botën e futbollit dhe ka thënë se organizata është gjithmonë e gatshme të ndihmojë.

Ai ka shtuar se koronavirusi do të ketë ndikim të madh në ekonominë e futbollit.

“Është e vështirë, pasi nuk e dimë se kur do të kthehet normaliteti. Por, do të shikojmë mundësitë. Ndoshta mund të reformojmë botën e futbollit duke bërë një hap prapa. Me formate të ndryshme. Më pak turne, por turne më interesant. Më pak skuadra, por më të balancuara. Më pak ndeshje, për të mbrojtur shëndetin e lojtarëve, por më garuese. Të shpëtojmë futbollin të gjithë së bashku futbollin, nga kriza dhe nga rreziqet që të arrihet një situatë e pakthyeshme”, ka shtuar Infantino.