Presidenti shqiptar, Ilir Meta, në akademinë solemne “Faleminderit Shqipëri, ka thënë se sfida më e madhe mbetet mbajtja e të rinjve dhe të rejave në Shqipëri, Kosovë dhe kudo që jetojnë shqiptarët në rajon.

“Ne në Shqipëri në çdo 28 Nëntor festojmë jo vetëm duke u përkulur para Ismail Qemajlit dhe të gjithë atyre personaliteteve që ngritën flamurin në Vlorë, por në mënyrë të veçantë nderojmë edhe kontributin e jashtëzakonshëm të Isa Boletinit dhe gjithë atyre personaliteteve të Kosovës të cilët dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm për të krijuar shtetin shqiptar – edhe pse gjysma e territoreve tona mbeti jashtë tij – edhe pse Kosova u sakrifikua padrejtësisht”.

“Por Zoti është i madh dhe besimi nuk duhet humbur asnjëherë dhe prandaj jemi të lumtur të kujtojmë vitin 1999 – një vit jashtëzakonisht i vështirë për kombin tonë”.

“Kishte filluar një lindje e vështirë që do të zgjaste deri në çlirimin e Kosovës, një lindje mjaftë e përgjakshme me vuajtje të pafundme, por falë Zotit dhe mbi të gjitha falë atij mobilizimi të jashtëzakonshëm të kombit tonë dhe të atij solidariteti heroik të treguar nga të gjithë shqiptarët e thjeshtë, ne arritëm që ta kalojmë me sukses të jashtëzakonshëm atë provë që ndodhë shumë rrallë në historinë e një kombi”.

Meta ka thënë se me të drejtë kosovarët thonë sot “Faleminderit Shqipëri”; edhe pse Shqipëria e kishte për detyrë që ta përballonte atë krizë të jashtëzakonshme humanitare që vinte prej gjenocidit të Sllovodan Millosheviqit.

“20 vjet kanë kaluar dhe vërtetë jemi shumë më mirë sesa kemi qenë. Por, që nuk jemi aq të lumtur sa do të donim të ishim. Duhet të jeni më të vëmendshëm për të ardhmen në mënyrë që të mos mobilizohemi dhe të vëmë në lëvizje virtytet tona vetëm në kohë krizash, por të punojmë vazhdimisht në mënyrë të përgjegjshme”.

“Shqetësimi im është që të punojmë të mbajmë të rinjtë në Shqipëri, Kosovë dhe kudo jetojnë shqiptarët në këtë rajon. Kjo është sfida jonë më e madhe. Në një kishe katolike në New York, dëgjova një shprehje të jashtëzakonshme: Rreziku më i madh i asimilimit vjen nga liria e tepruar”.

“Kur një popull është nën presion, është më i aftë të reagoje dhe ta ruajë identitetin. Ndërsa në një periudhë lirie bëhemi të pavëmendshëm ndaj atyre vlerave që duhet t’i ruajmë. Këto nuk do të mund të zhvillohen pa të rinjtë dhe të rejat tona”.

“T’u krijojmë mundësi të rinjve tanë dhe t’u japim një rol më të madh në shoqërinë tonë. Unë besoj se jemi në kohën e duhur për të pasur një reflektim më të plotë dhe më të thellë në këtë drejtim”./Klan Kosova