Kandidati për kryetar të Podujevës nga radhët e LDK-së, Ekrem Hyseni, ka premtuar funksionalizimin e Spitalit të Përgjithshëm të qytetit të Podujevës, shkruan Llapi.info.

Hyseni, këtë e ka thënë në debatin me kundërkandidatët e tij në RTK, teksa ka shtuar se do t’i bindin qytetarët për t’u vaksinuar.

“Do të bisedojmë me Qeverinë për spitalin e qytetit dhe do ta ndërtojmë dhe funksionalizojmë atë. Do të kemi fushata sensibilizuese për vetëdijesimin e qytetarëve për vaksinim kundër virusit korona. Ne do t’i zhdukim mitet për cipa në vaksina dhe do t’i nxisim qytetarët për t’u vaksinuar”, thotë ai.

Mirëpo, në zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar, Hyseni së bashku me ish-ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, patën prezantuar projektin për këtë spital, por që i njëjti, kur u patën kryer zgjedhjet, nuk ishte futur as në buxhet.

Zemaj, më 23 nëntor, pak ditë para zgjedhjeve të nëntorit në Podujevë, premtoi ndërtimin e spitalit në Podujevë dhe prezantoi projektin siç tha ai, të finalizuar. Projekti ishte parë si politik, pasi ishte prezantuar në kohë fushate.

“Së bashku me u.d. drejtorit të ShSKUK-së, dr. Saudin Maliqin, deputetin Ekrem Hyseni dhe përgjegjësin e Spitalit të Podujevës, Afrim Tahiri, kemi prezantuar projektin e sapofinalizuar për ndërtim të spitalit të Podujevës. Spitali do të ketë sipërfaqe rreth 7.700 m2 do të ofrojë shërbimet si: Diagnostika (Laboratorët me Radiologji), Ambulancat Specialistike, Shërbimi Emergjent, Mjekësia Interne, Kirurgji dhe Ortopedi, Gjinekologji dhe Neonatologji dhe Pediatri. Llapi meriton spital me kushte dhe shërbime për shumë arsye”, pati shkruar Zemaj, duke shpalosur edhe foto të maketit se si do të duket spitali./Llapi.info

Spitali i premtuar i Podujevës nga LDK s’u përfshi në buxhetin e vitit 2021, ironizon Imer Mushkolaj