Kandidati për Kryetar të Podujevës nga radhët e PDK-së, Hajredin Hyseni, ka thënë se në rast të ardhjes në pushtet parimet kryesore të qeverisjes së tij do të jenë transparenca, llogaridhënia dhe zbatueshmëria e ligjit, njofton Llapi.info.

Ai tha se arsimi, shëndetësia, mirëqenia sociale, infrastruktura, kultura, rinia, sporti dhe turizmi janë prioritetet në programin e tij.

“Parimet kryesore të qeverisjes sime do të jenë transparenca maksimale, llogaridhënia,  zbatueshmëria e ligjit”, tha Hyseni në Magazinën Lokale të Klan Kosovës.

Hyseni tha se kanë paraparë ndërtimin e një parku industrial që i ka munguar Podujevës.

Ndërkaq, në gjashtëmujorin e parë, Hyseni tha se do ta kenë një udhërrëfyes biznesi për komunën e Podujevës, duke u bazuar në resurset e tyre, në mënyrë që t’i sjellin bizneset që të investojnë.

Hyseni tha se arsimi është një prej shtyllave kryesore dhe synojnë depolitizimin e arsimit, dhe krijimin e kushteve për mësimdhënie dhe mësimnxënie.

Sa i përket shëndetësisë, ai tha se do ta funksionalizojnë spitalin dhe shërbimin gjinekologjik, si dhe të gjitha shërbimet 24 orëshe.