Hoxhaj: Thaçi lider historik

Hoxhaj: Thaçi lider historik

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj, ka theksuar se koalicioni qeverisës në mes PDK-së dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është funksional.

Ai në emisionin “Info – Box” të RTV Dukagjini tha se, raportet në mes dy partive PDK dhe LDK janë të mira, duke shtuar “se qëllimi kryesor është implementimi i marrëveshjes dhe programit qeverisës”.

“Zgjedhja e kryetarit të PDK-së, Hashim Thaçi, si president i vendit është pjesë e marrëveshjes në mes dy partive politike. Unë besoj se koalicioni ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur Thaçin president. Përveç tri ose katër emrave të LDK-së, të cilët janë shprehur publikisht se nuk do ta votojnë kryetarin e PDK-së si president, të tjerët besoj se do ta votojnë”, ka theksuar Hoxhaj.

Ai më tutje ka thënë se koalicioni qeverisës i ka 89 deputetë, dhe kjo është e mjaftueshme, duke shtuar “se lider më të mirë dhe më të përshtatshëm se Thaçi nuk ka brenda PDK-së, por besoj se nuk ka as brenda partive tjera”.

“Kemi të bëjmë me një lider historik. Do të vërehet mungesa e tij në momentin kur do të shkojë nga PDK-ja, sepse kemi të bëjmë me një hendikep të madh”, ka shtuar Hoxhaj.