Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj ka thënë se shkarkimi i Bordit të RTK-së është goditje për fjalën e lirë nga Qeveria Kurti.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se qeveritë me prirje autoritare synim dhe qëllim kanë kontrollimin e vullnetit politik, mediave dhe të opinionit publik.

Sipas tij, këtë manual po e zbaton me përpikëri Qeveria Kurti II.

“Edhe pse e dalë nga një proces zgjedhor demokratik dhe shembull për rajonin, puna e parë që bëri Albin Kurti ishte nxitja e shkarkimit të kryetares së KQZ-së, Valdete Daka. Sot, ai shkarkoi edhe bordin e RTK-së, duke i dhënë edhe një goditje tjetër medias dhe fjalës së lirë në vend. Atë që e kemi paralajmëruar si PDK edhe po ndodhë, dy gjëra do ta karakterizojnë këtë Qeveri: Mashtrimet politike në mungesë të një programi të mirëfilltë qeverisës dhe autoritarizmi, si e vetmja metodë të cilën ata e njohin”, ka thënë ai.