Kreu i PDK-së, Enver Hoxhaj ka reaguar pas pamjeve që vijnë nga qendra e vaksinimit ku shihen shumë qytetarë grumbull e pa distancë sociale duke pritur në rend për vaksinim.

Hoxhaj thotë se është e dhimbshme që Qeveria nuk ka ditur ta organizojë një proces të thjeshtë vaksinimi.

“Është për keqardhje të shohësh prindërit e gjyshërit tanë në këtë gjendje. Të dëshpëruar për një vaksinë e cila nuk u erdhi për një kohë të gjatë, tani të shtyhen me njëri-tjetrin sepse Qeveria nuk ka ditur të organizoj një proces të thejshtë vaksinimi. Kështu, më shumë ekziston rreziku që ata të infektohen me Covid, sesa mundësia që të vaksinohen. Kjo është pasqyra e një qeverisje pa plan e program. Pa dije e përvojë për të ndihmuar qytetarët e saj. E dhimbshme. Shumë e dhimbshme”, shkruan Hoxhaj.

Ndërkohë, pak më parë ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë. Sipas tyre tollovia në sallën “1 tetori” është krijuar për shkak se aty kanë ardhur për vaksinim edhe qytetarë nga komunat tjera.