Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, pas takimit me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani ku diskutuan për datën e zgjedhjeve lokale, në një konferencë për media ka reaguar në lidhje me deklaratat e ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla Schwarz, transmeton Gazeta Sinjali.

Hoxhaj tha se është e paprecedent ajo se çfarë po bën ministrja.

“Kur flet ministrja e jashtme, folë Qeveria dhe nëse ky është qëndrimi i qeverisë në raport me të kaluarën tonë historike dhe luftën tonë të lavdishme në mënyrën se si zonja Gërvalla Schwarz po flet çdo ditë dhe po e godet UÇK-në si të ishte ministre e jashtme e një shteti kundërshtar të Kosovës, Serbisë ose Rusisë, është temë serioze”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj ka kërkuar nga Kryeministri Kurti dhe Qeveria të distancohen nga gjuha e ministres, pasi sipas tij, ajo e ka shkelur çdo kufi të mundshëm të komunikimit partiak.

“Asnjëherë nuk ka pasur Qeveri në Kosovë po edhe në shtetet partnere të Kosovës që ka qenë më shumë anti-UÇK se sa Qeveria Kurti në bazë deklaratave të zonjës Gërvalla. Kjo është një temë serioze që e dëmton të ardhmen e Kosovës sikurse e dëmton identitetin tonë si popull dhe si komb”, tha Hoxhaj