Kryeministri Avdullah Hoti, ka folur përsëri për shuarjen e Task-Forcës. Ai ka thënë se vendimi i 2010 me të cilën është themeluar kjo Task-Forcë është jokushtetues.

“Dëshiroj të sqaroj para juve, lidhur me vendimin e Qeverisë që lidhet me ish Task Forcën. Çdo jurist besoj e ka të qartë, edhe student me qenë ende pa diplomu që vendimi i vitit 2010 është jo kushtetues. Shihni pikën e parë të këtij vendimi, i cili thotë që Qeveria i kërkon Prokurorisë të themeloj struktura të caktuara”, ka thënë ai.

Sipas tij, pushtetet janë të ndara dhe Qeveria nuk mund t’i kërkoj prokurorisë të themeloj struktura të caktuara, sepse sipas tij, është çështje e Prokurorisë.

“Ajo që duhet të bëjë Qeveria është të vejë në funksion gjitha kapacitetet e veta, sipas nevojave që ka Prokuroria. E dyta Eulex-it i ka ndërruar mandati. Atë që kemi bërë ne me këtë vendim, është kthimi i ligjshmërisë në çdo aspekt. Është më se e qartë që krejt Policia, është në dispozicion të Prokurorisë, jo me vendim të qeverisë, por sipas ligjit. Plani jonë është i qartë se kah do të lëvizim më tutje, në bazë të ligjit sigurisht”, ka thënë ai.

Duke iu përgjigjur ish-ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, Hoti ka thënë: “A mundet Qeveria t’i kërkoj Prokurorisë të ndërtoj një strukturë? Në pikën e dytë të atij vendimi thuhet se Qeveria përcakton edhe numrin e prokurorëve. A di çka ka mungu në këtë vendim, vetëm edhe emri i prokurorëve, vetëm kaq. E tash çka po bëjmë ne, po e bëjmë organogramin e ri të Policisë sipas ligjit. Me Policiinë po merremi. Me bo një strukturë organizative sipas ligjit, ndërkohë Task Forca me gjitha çështjet që i ka në shqyrtim vazhdon e pa penguar”.