I mandatuari për kryeministër nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, përmes një postimi në Facebook ka thënë se Qeveria e re do të koordinohet me partnerët strategjikë të Kosovës duke hequr çdo pengesë për dialog.

Sipas tij vendosja e reciprocitetit nga Qeveria Kurti nuk po e ndihmon vendin, por po e kurthon atë.

“Veprimet e fundit nga Qeveria në detyrë nuk e ndihmojnë vendin, por e kurthojnë atë. Është e ditur se reciprociteti është pjesë organike e strukturës tonë ligjore. Por, ne sot kemi nevoje ta mbështesim dialogun me ndihmën e miqve tanë”, ka thënë Hoti.

Sipas tij me anë të heqjes së reciprocitetit e avancojnë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Qeveria e re do të koordinohet me partnerët strategjikë të Kosovës duke hequr çdo pengesë për dialog. Vetëm përmes këtij koordinimi ne e avancojmë pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe ia heqim Serbisë alibinë për ta zvarritur marrëveshjen për njohjen reciproke”, ka thënë Hoti.