Një emigrant shqiptar që punoi si kamerier në një restorant ne Long Island për 24 vjet është deportuar në Shqipëri, pa i lënë atij asnjë mundësi për të takuar familjen dhe fëmijët.

Shqiptari është shtetasi Sokol Vokshi, 47 vjeç, i cili ka deklaruar se nuk u lejua të takonte gruan dhe dy fëmijët e tij në shtëpinë e tyre në Elmont.

I njohur si Sal, ai ishte “kamerier i preferuar i të gjithëve” në restorantin Golden Reef në Long Island para se ai të deportohej.

I martuar, baba i dy fëmijëve, ai u kthye në vendin e tij të lindjes më 4 prill, pa mundur të shohë vajzat e tij, të moshës 12 dhe 14 vjeç.

Vokshi tha se i është dërguar një letër nga ICE duke i kërkuar atij të paraqitej në një takim më 3 prill. Ai tha se mendonte se do të ishte një takim tjetër rutinë që diskutonte apelin e tij.

Por sa shkoi në zyrë i vunë prangat. Tre ditë më vonë, ai ishte në një avion për në Shqipëri, ku jeton ende motra e tij. “Nuk e njoh këtë vend,” tha ai.

Vokshi tha se ende po paguan 12,000 dollarë në taksat vjetore të pasurive të patundshme në shtëpinë e tij në Long Island dhe po përpiqet të gjejë punë në Shqipëri.