Në serialin televiziv “Mrs America”, Sarah Paulson luan Alice Macrayn, një amvise imagjinare antifeministe në vitet ’70, që bën fushatë për të penguar miratimin e Amendamentit të të Drejtave të Pabarabarta. Në episodin e parafundit, Alice merr pjesë në Konferencën Kombëtare të Grave më 1977 në Houston me qëllim për ta sabotuar platformën e saj, por një kokërr e bardhë misterioze shkrin kundërshtimin e saj dhe e çon atë në një udhëtim të ëndërrt përmes rrugës.

Në një çast, ajo këndon përskaj të ndjerit Woody Guthrie “This Land Is Your Land”. E ngazëllyer, ajo i tregon një aktivisteje feministe se e këndon këngën në shtëpi tok me fëmijët, por bashkëbiseduesja i përgjigjet se një socialist e kishte shkruar atë. Alica qesh në mosbesim. “Oh, mos u bëj qesharake!” Kur aktivistja ngulmon se bëhet fjalë për një këngë marksiste, Alice gajaset. “Oh jo, jo, jo. Është patriotike”. Aktivistja buzëqesh. “Pikërisht!”.

Është një skenë e vogël por e mprehtë e cila vë në pah se si dy kundërshtarë politikë mund të bashkohen me vizionin bujar të Guthries për SHBA-në, por edhe ngre pyetjen kruciale mbi rëndësinë e këngës aq të famshme që është cilësuar edhe si “himn kombëtar alternativ”.

Woody Guthrie jetoi një jetë klasike amerikane, të mbushur me aventurë, idealizëm dhe tragjedi. Ai u lind në Okemah, Oklahoma më 1912. I ati, Charley, ishte pronar tokash me ambicie politike, por fati nuk e ndihmonte familjen Guthrie. Një zjarr në shtëpi mbyti motrën e tij më të madhe, Clara. Nëna e tij, më 1927, tek vuante prej sëmundjes degjenerue të Huntingtonit, u dërgua në një institucion psikik.

I riu Woody ishte një autodidakt i etur, një qejfli i lindur dhe një shpirt kërkues. Ani pse pati grua e fëmijë, ai u tërhoq pas jetës bredharake, shëtiste e kapej pas vagonëve të trenave gjithandej Perëndimit amerikan, duke shkruar këngë mbi jetën e shkatërruara të njerëzve që takoi.

Në Kaliforni ai u tërbua keqazi nga trajtimi i pashembullt që iu bëhej emigrantëve ekonomikë të quajtur si “Okies”. E bija e tij, Nora, më vonë thoshte se ai e “mësoi socializmin në rrugët e Amerikës”. Më 1937 ai u shpërngul në Los Angeles, ku u bë i njohur si këngëtar protestues dhe nikoqir radioje. Pasi showi i tij u anulua, ai vendosi të provonte fatin në New York.