Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Haziri, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka thënë se ekzistojnë dallavere të shumta brenda Radio Televizorit Publik të Kosovës.

Haziri, ka përmendur edhe sot se si RTK, sipas tij, ka marrë me qira 17 vetura me çmim mbi 517 mijë euro, duke shtuar se me këto para do të bliheshin 34 vetura të atij lloji.

“Javë më parë, përballë bordit të RTK-së, pata përmendur një skandal të tyre, të bërë në vitin 2019. 17 vetura janë marrë me qera në çmim prej gjysmë milioni euro. Paramendojeni, 17 vetura me qera, me çmim prej 517 mijë e 140 euro në kohëzgjatje prej 6 vitesh. A e dini që me këto mjete do të bliheshin, jo të merreshin me qera, por të bliheshin 34 vetura të atij lloji”, ka thënë ai.

Fjalimi i tij i plotë:     

Ne si Komision për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, në mbledhjen e mbajtur më 25.05.2021, kemi shqyrtuar Raportin Vjetor të Radio Televizionit të Kosovës dhe kemi vlerësuar se i njëjti nuk i përmbush obligimet ligjore për raportim – rrjedhimisht i kemi rekomanduar Kuvendit për mosmiratimin e tij. Arsyeja e mosmiratimit të këtij raporti lidhet me faktin e vetë raportit – për mënyrën si është paraqitur te ne.

Nëse i shikojmë 10 fletët e para të raportit – po them fletët sepse nuk janë paraqitur me numër rendor, paraqesin fjalën e kryetarit të Bordit dhe Drejtorit të Përgjithshëm si dhe përshkrimin e institucionit. Pjesa tjetër e mbetur e raportit flet për skemën programore, për programet që janë transmetuar në RTK1, RTK2, RTK3, RTK4, RTK SAT. Neve si deputetë nuk na takon të komentojmë apo të propozojmë skemat programore sepse është ndërhyrje politike në një medium publik. Pra, ky raport nuk është përgatitur nga bordi i RTK-së por është përgatitur nga Drejtori i Përgjithshëm i RTK-së.

Drejtori i Përgjithshëm në bazë të ligjit për Radio Televizionin e Kosovës nenin 7, i cili flet për obligimet e RTK-së në lidhje me përmbajtjen, pika 3 e këtij ligji, thotë që Drejtori i Përgjithshëm, një herë në vit, do të hartojë një raport mbi ofrimin e përmbajtjes kulturore, artistike, informative, dokumentare apo edukative/arsimore të cilin pastaj do t’ia paraqes bordit të RTK-së. Që i bie se, ky raport si është paraqitur te ne është raport i cili i është paraqitur Bordit nga Drejtori i Përgjithshëm dhe ky raport assesi nuk paraqet punën e Bordit dhe kompetencat e tij të cilat janë të rregulluara me NENIN 29.

Një tjetër shqetësim që do doja ta ngrija nga pjesa e fundit e raportit që flet për raportimin financiar rreth borxheve të bartura vit pas viti; si pasojë e keqpërdorimeve financiare, dallavereve nga më të ndryshmet dhe keqmenaxhimit të madh, që e kanë karakterizuar këtë institucion të quajtur publik, por që shumicën e herave nuk i ka shërbyer publikut – por disa personave politikë dhe biznesorë. Dallaverët brenda RTK-së, tashmë nuk janë perceptim. Nuk janë as përshtypje më. As me të dëgjuar. Disa prej tyre janë dëshmuar e argumentuar.

Javë më parë, përballë bordit të RTK-së, pata përmendur një skandal të tyre, të bërë në vitin 2019. 17 vetura janë marrë me qera në çmim prej gjysmë milioni euro. Paramendojeni, 17 vetura me qera, me çmim prej 517 mijë e 140 euro në kohëzgjatje prej 6 vitesh. A e dini që me këto mjete do të bliheshin, jo të merreshin me qera, por të bliheshin 34 vetura të atij lloji. Kjo është vjedhje klasike. Nuk mundemi me i mbyllë sytë karshi këtij dhe shumë rasteve tjera, të bëra nga ai menaxhment. Kjo i bie që, ky borxh milionësh publik i RTK-së, nuk ka ndodhë kot. Është borxh për shkak të menaxhimit të dobët. E madje edhe të keqmenaxhimit. Për fund, mendoj se mosmiratimi i këtij raporti dhe çfarëdo raporti tjetër të ndonjë institucioni të pavarur i cili nuk kalon në Kuvend duhet të pasojë me shkarkim.

Shkarkimi i këtij bordi, por edhe i bordeve tjera në të kaluarën, nuk po bëhet as për hakmarrje, e as për shkak që po mundemi ta shkarkojmë. Këto shkarkime po bëhen për t’i ndëshkuar e ndaluar, vjedhjet e keqpërdorimet e keqmenaxhimit që janë bërë në to. Në fakt, do të duhej të bëheshin qysh para disa vitesh, por pasi s’janë bërë atëherë, duhet të bëhen tash. Dijeni që çdo lindje është e dhimbshme, mirëpo jeta pastaj është e këndshme.