Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se do t’i publikojë së shpejti shpenzimet për secilin nga të akuzuarit në Hagë.

Ajo tha se më herët nuk kanë mundur t’i publikojnë për shkak se vendimi i ish-kryeministrit Haradinaj nuk ua ka lejuar, por ky vendim tani është ndryshuar nga kryeministri Albin Kurti.

“Me vendimin e ish-kryeministrit Haradinaj ne kemi qenë në pamundësi që të bëjmë publike veç e veç për personat se sa buxhet kanë marr për mbrojtjen e tyre. Prandaj në këtë drejtim, në bashkëpunim me Zyrën e Kryeministrit tash është marr vendimi nga kryeministri Kurti për të lejuar qasje në shpenzimet veç e veç ndaj këtyre personave”, ka thënë ajo, transmeton EO.

Ndryshimi i këtij vendimi sipas Haxhiut do të lejojë qasjen në shpenzimet e secilit nga të akuzuarit në Hagë.

“Ata persona marrin buxhet në përputhje me legjislacionin në fuqi. Nuk ka se pse ta fshehim se sa buxhet është ndarë për cilin person. Edhe në koordinim me kryeministrin Kurti ne e kemi shfuqizuar atë vendim dhe na duhen edhe disa ndryshime në udhëzimin administrativ dhe pas shtatë ditësh pas publikimit në Gazetën Zyrtare kushdo që dëshiron qasje në to mund t’i ketë”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu, ka paralajmëruar se gjatë javës së ardhshme do të formohet grupi punues për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

“Javën e ardhshme formohet grupi punues për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Do të jetë agjencioni që do të kërkojë justifikimin e pasurisë. Ajo çka do të kujdesemi është që me këtë ligj të mos abuzohet. Nuk e di a do të realizojmë brenda një muaji por i njëjti brenda një viti do të votohen në Kuvend”, tha ajo.