Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se nesër do të finalizohet drafti i parë i koncept-dokumentit për vetingun në sistemin e drejtësisë.

“Më 15 qershor, finalizohet drafti i parë i koncept dokumentit për vetingun në sistemin e drejtësisë. Nuk është në rregull të kemi një ligj me 3-4 ndryshime. Kjo duhet të adresohet sa më parë që të kemi ligje të integruara”, bëri të ditur Haxhiu në seancën që po mbahet në Kuvendin e Kosovës.

“Reforma më e madhe në sistemin e drejtësisë do të jetë vetingu dhe është i rëndësishëm konsensusi brenda Kuvendit. Unë i kam ftuar subjektet opozitare për takime të veçanta. Edhe roli i grupit parlamentar të Vetëvendosjes është shumë i rëndësishëm në këtë drejtim, por kam ftuar opozitën të flasim për konsensus për vetingun në sistemin e drejtësisë. Pastaj do të takoj edhe grupet parlamentare që përfaqësojnë komunitetin jo-shumicë”, u shpreh ministrja Haxhiu.