Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur edhe për procesin e Vettingut, si një ndër sfidat më të mëdha me të cilën do të ballafaqohet ky institucion.

Haxhiu ka thënë se ky proces do të bëhet në koordinim të plotë me Kuvendin e Kosovës në mënyrë që Kuvendi mos ta shfrytëzohet vetëm për votim të ligjeve, por edhe për të dhënë kontributin në këtë proces, i cili së pari duhet ta ketë konsensusin politik.


E pyetur se a mendon se do ta ketë përkrahjen e partive politike, në këtë rast opozitës, Haxhiu përmendi faktin se PDK e ka pasur në plan procesin e Vettingut, duke thënë se nuk mendon se do të ketë kundërshtime për këtë.

“Jo rastësisht e përmenda faktin e konsensusit të gjerë politik që duhet në këtë rast. Grupi më i madh opozitar PDK edhe në fushatën zgjedhore e kanë pasur në plan që ta bëjnë procesin e Vettingut, në rast se do të fitonin. Pra, do të kemi takime të shpeshta edhe me Komisionin për legjislacion ku përfshihen të gjitha partitë politike”, ka thënë Haxhiu.

Ministrja ka shtuar se ky është një proces i rëndësishëm sepse sipas saj, nëse duan që ky proces ta ketë besimin e qytetarëve dhe të mos duket si proces i një partie politike apo dy partive, atëherë duhet të ketë një përfshirje të gjerë përveç ekspertëve vendor dhe ndërkombëtarë, shoqërisë civile, edhe partitë politike.

“Sado që është sfidë për Ministrinë e Drejtësisë ky proces, tani për tani ka mbetur mekanizmi i fundit që kemi si qeveri e re që ta kthejmë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë. Sistemi i drejtësisë duhet të pastrohet, dhe në këtë drejtim duhet të ketë njerëz që kanë integritet të lartë moral e profesional, prandaj e kemi të obligueshëm që ta bëjmë Vettingun. Nuk do të jetë një Vetting që e ka bërë Shqipëria, do të marrim mësime që të mos përsërisim gabimet që i kanë bërë ata”, u shpreh Haxhiu për Telegrafin.

Haxhiu shtoi se ky proces nuk duhet të merret si hakmarrje ndaj askujt, por të shihet si vizion i tyre sesi e shohin shtetin e së drejtës.

Duke pasur parasysh kohën sa mund të marr formimi i Vettingut në drejtësi, ministrja Haxhiu theksoi se ky proces mund të kryhet brenda dy viteve të qeverisjes.

“Meqë është proces më sfidues, më kompleks nuk mund të kryhet brenda vitit të parë por mund të bëhet brenda dy viteve të para të qeverisjes. Sa i përket bazës ligjore apo kushtetuese kjo mund të arrihet deri në dhjetor ta zëmë edhe ndryshimet kushtetuese nëse shkojmë me këtë version sepse kjo do t’i lihet ekspertëve që të japin propozimet e duhura, dhe pastaj viti i ardhshëm të paktën të ketë formim të komisioneve përkatëse apo paraprakisht nxjerrja e akteve nënligjore që dalin nga legjislacioni dhe krijimi i komisioneve përkatëse për verifikimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve”, tha Haxhiu.


Haxhiu përmendi edhe Vettingun në Policinë e Kosovës, ku tha se këtë do ta bëjnë në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme. Ministrja tutje shtoi se qëllimi i tyre është që përmes Vettingut ta kthejnë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Haxhiu theksoi se tjetër sfidë për Ministrinë e Drejtësisë mbetet edhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe hetimi apo gjykimi i krimeve të luftës të kryera nga Serbia në Kosovë.