Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka parë si përpjekje për t’iu ikur zgjedhjeve deklarimin e kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës se kjo parti ka hequr vijat e kuqe ndaj Partisë Demokratike të Kosovës.

Në një postim në Facebook, Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendosje ka thënë se deklarimi i Isa Mustafës “është vetëm titulli i një vepre që kishte nisur më herët”.

“Vullneti i shprehur me 6 tetor të vitit të kaluar ishte vijë e qartë e kuqe me politikën e vjetër. Nga poli i PDK-së, LDK tha se po afrohej me VV-në. Dhe kështu mori votat e qytetarëve. Kjo vijë e kuqe e LDK-së u hoq në muajin mars kur rrëzuan qeverinë Kurti dhe tradhtuan votën qytetare. Ajo që tha sot Isa Mustafa është vetëm titulli i një vepre që kishte nisur më herët. Nëse qytetarët kanë vendosur saktësisht ndryshe nga ajo çka paska vendosur LDK, atëherë kjo e fundit përfundimisht i ka vënë vijë të kuqe vullnetit qytetarë. Sigurisht, vijat e kuqe gjithnjë janë hequr në emër të ‘interesave madhore’. Këto janë orvatjet për t’i ikur zgjedhjeve në mënyrë që kjo nomenklaturë të mbijetojë edhe ndonjë ditë”, ka thënë Haxhiu, që ishte ministre e Drejtësisë në Qeverinë VV-LDK në fillim të vitit.

Të shtunën, Mustafa u shpreh se LDK-ja ka ndryshuar qëndrimin ndaj PDK-së pas publikimit të aktakuzave nga Gjykata Speciale ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

Mustafa po ashtu kishte komentuar ambiciet e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, për t’u bërë president. Sipas tij, kjo çështje duhet të diskutohet më vonë, por edhe me opozitën.

E, nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se pa këtë parti s’mund të zgjidhet presidenti i ri.

“Kryetari i LDK-së, zt. Mustafa paska deklaruar që për postin e Presidentit duhet të flas me LV! ose PDK-në, sepse pa njërën nga këto parti s’mund të zgjedhet Presidenti. Ndërkohë ka thënë se duhet të hiqen vijat e kuqe për PDK, duke treguar se kah po shkojnë si parti. Mirë që edhe deklarativisht i kanë hequr vijat e kuqe, më e qartë për ndokënd që eventualisht akoma ka besuar në krerët e LDK-së. E vërteta është jo pa njërën nga këto parti, por vetëm pa Vetëvendosje! s’mund të zgjedhet Presidenti/ Presidentja dhe këtë e dinë mirë, ashtu sikurse e dinë që me LV! s’mund të bëjnë pazare”, ka shkruar në Facebook, Arbërie Nagavci nga kjo parti.