Haxhi Avdyli nga Lista “Guxo”, ka treguar se si kryeministri Albin Kurti nuk ka pranuar që ta bëjë zëvendësministër anëtarin e kësaj liste nga Ferizaj, Balton Dërgutin.

I ftuar në “DPT te Fidani”, Avdyli ka treguar se i njëjti ka synuar pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Financave, por se Kurti nuk ka pranuar që ta bëjë zëvendësministër, derisa ka treguar edhe arsyen për këtë.

“Kërkesa e tij ka qenë për zëvendësministër. Por, z.Kurti i ka pak kriteret e larta për zëvendësministër, nuk e ka parapa me një përgatitje të tillë që të jetë zëvendësministër për ekonomi. Nuk e ka ba z.Kurti, sepse se ka pas përgatitjen për atë post. Edhe ne jemi pajtu që ta merr atë post, por z.Kurti e ka pa që ai nuk i plotëson kushtet për atë pozitë, por nuk i ka thënë decidivisht jo për ndonjë pozitë tjetër, por si duket ai është ngutë”, ka thënë Avdyli.

Ai ka folur edhe për thirrjen që u bëri dje anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Faton Bislimi për rikthimin e tyre në LDK.

“Mendoj që koalicioni që do ta kemi shumë shpejt mes VV-së dhe Listës sonë, krijon premisa që ndryshimi i vërtet do të ndodhë edhe në nivel lokal. Ndryshimi që ka ndodhur në LDK është meritë edhe e jona. Ne u urojmë sukses kolegëve (në LDK), nuk kemi asgjë kundër tyre”, thotë Avdyli.

E liderin e ri të LDK-së, Lumir Abdixhiku, Haxhiu THA e konsideron si njeri të mirë dhe pa afera korruptive.

“Unë nuk mundem me fol keq për Lumirin, sepse e konsideroj që është njeri i mirë dhe pa afera korruptive”, shtoi Avdyli.

Bislimi dje në ‘DPT te Fidani’ tha se arsyeja pse ata janë larguar nga LDK-ja ka qenë për shkak të lidershipit, ndërsa sot thotë se është një lidership tjetër.

“Arsyeja që ata janë larguar kanë qenë për shkak të lidershipit të LDK-së, ndërsa tash është ndërruar lidershipi. Do të ishte politikisht korrekte që të gjithë ata përkrahës të rikthehen në LDK, në shtëpinë e tyre”, tha Bislimi.