Hashim Thaçi: Republika nuk mbrohet me dhunë

Hashim Thaçi: Republika nuk mbrohet me dhunë

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Hashim Thaçi është i ftuari i Baton Haxhiut në emisionin Zona B.

Thaçi ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë.

“Themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe është i lejueshëm nëse themelohet në përputhje me frymën e Kushtetutës”.

Thaçi tutje ka thënë se Republika e Kosovës nuk mbrohet duke ushtruar dhunë.

“Gjatë asaj dite kemi pasur veprime që nuk kanë përkuar me rendin demokratik dhe protestat paqësore. Ky është dëmi më i madh që i është bërë Kosovës që nga shpallja e pavarësisë”.

“Nuk mbrohet Republika me dhunë, as me molotov e as duke u armiqësuar me Amerikën, BE-në, NATO-n e Shqipërinë”.

Thaçi thotë se “është momenti që të ulemi e të përpilojmë agjenda që i shërbejnë për të mirë vendit”.

“Mund të kemi mospajtime, por jo të reagojmë me dhunë”.

“Do të ishte me interes që të kemi një përgjegjësi më të madhe karshi shtetit, e më pak pretendime për marrjen e pushtetit me dhunë”.

“Pushteti s’mund të merret asnjëherë me dhunë. Është vullneti i qytetarëve dhe mbështetja e ndërkombëtarëve ajo që e legjitimon pushtetin”.