Kampanja sensibilizuese e Ministrisë së Integrimit Evropian për procesin e liberalizimit të vizave, ka 5 muaj që është zvarritur nga vetë Ministria në fjalë, në krye me ministren në largim, Dhurata Hoxha, dhe nga kompania fituese e kontratës, ani pse kontrata në fjalë në dosjen e tenderit ishte cilësuar si e domosdoshme dhe urgjente.

Kompania “Pr Solution” kishte qenë fituesja e tenderit “Shërbime të Informimit Publik për nevojat e MIE-së”, kompani kjo e cila edhe pse kanë kaluar 5 muaj nga fitimi i kontratës nuk ka bërë ende as hapin më të vogël për fillimin e kampanjës, ndonëse për dhënien e kësaj kontrate ishin ndarë rreth 1 milion euro nga buxheti i kësaj Ministrie.

Arsyet e mosfillimit të kësaj kampanje, që qëllimin kryesor e kishte ‘informimin e qytetarëve’ rreth liberalizimit të vizave, nuk po dihen ende.

Megjithkëtë, Buletini Ekonomik ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Integrimit Evropian edhe në kompaninë “Pr Solution” për të marrë detaje nga ky proces, mirëpo ka kaluar një javë e plotë dhe asnjëra palë nuk ka kthyer ndonjë përgjigje rreth kësaj çështjeje.

“Të domosdoshme dhe urgjente”, e kishte cilësuar Ministria e Integrimit Evropian (MIE), nënshkrimin e një kontratë në vlerë rreth 1 milion euro, që kishte për qëllim t’i informonte kosovarët për procesin e liberalizmit të vizave.

Ndonëse këtij procesi nuk i shihej fundi, ministria e udhëhequr nga Dhurata Hoxha, në korrik të këtij viti kishte nisur një kampanjë informuese për qytetarët rreth procesit të liberalizimit të vizave.

Më 10 korrik, kjo ministri kishte publikuar në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik, njoftimin për përzgjedhjen e kompanisë fituese në kontratën “Shërbime të Informimit Publik për nevojat e MIE-së”.

Kompania fituese si e vetme ishte përzgjedhur “PR Solutions”, ndërsa kontrata në total peshonte 881 mijë e 389 euro.

Në dosjen e atij tenderi, kjo kontratë ishte cilësuar si “urgjente dhe e domosdoshme” dhe thuhej se kjo do të shërbente “për vetëdijesimin e qytetarëve rreth proceseve të ndryshme integruese”.

Por në kontratë, specifikisht, përmendej si arsye kryesore çështja e liberalizimit të vizave.

“MIE nuk ka kontratë aktuale dhe shërbimet e tilla janë mëse të domosdoshme dhe urgjente, atëherë afatet normale kohore e pamundësojnë qe te vije deri të një zgjidhje e shpejtë e kontraktuesit për realizimin e këtyre shërbimeve. MIE duhet qe të filloj me kampanja vetëdijesuese për proceset e ndryshme integruese, liberalizim vizash etj.”, thuhej në dosjen e tenderit.

Buletini Ekonomik kishte siguruar edhe vendimin e kësaj Ministrie me të cilin e njoftonte kompaninë fituese, “PR Solutions”.

“Juve ju është dhënë kontrata me çmimin e saktësuar në tenderin tuaj 881,389.20 duke përfshirë të gjitha taksat sipas legjislacionit në fuqi”, thuhej në vendimin e ministrisë.

Mirëpo, në atë vendim përmendeshin edhe kompanitë tjera që kanë qenë në garë, e të cilat sipas asaj që prezantohej në tabela, duket se kishin ofruar çmim më të lirë se sa vet kompania fituese.

Kështu p.sh., grupi i operatorëve “Trekuartista Group”, Ikonë-Studio” dhe Pi Comunication, në konzorcium, kishin ofruar një çmim prej 285 mijë e 279 euro.

Mirëpo, në dosjen e tenderit kjo kontratë ishte cilësuar si “Kontratë Publike Kornizë” me një operator ekonomik. Kontrata kornizë është kur ka një gamë të gjerë shërbimesh dhe në kornizë caktohen çmimet, e pastaj autoriteti kontraktues porositë sipas nevojës.