Pikërisht sot një vit, Qeveria e Republikës së Kosovës, në krye me Ramush Haradinajn, pati vendosur taksën 100 % ndaj produkteve serbe.

E, pikërisht në këtë datë, kryeministri në largim, ka thënë se ky është një nga vendimet më të guximshme që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës.

Haradinaj tha se Kosova ka treguar se Serbia nuk mund t’i japë detyra, kurse miqve ndërkombëtarë se nuk i nënshtrohemi shtetit serb.

Ky është postimi i plotë i tij:

Një vit më parë, Qeveria e Republikës së Kosovës, ka ndërmarrë një prej vendimeve më të guximshme që nga shpallja e pavarësisë, me vendosjen e tarifes prej 100% në mallërat e Serbisë, si masë ndaj fushatës agresive të shtetit serb. Me këtë hap të rëndësishëm, Kosova ka treguar se Serbia nuk mund t’i japë detyra, kurse miqve ndërkombëtarë se nuk i nënshtrohemi shtetit serb. Vendosja e tarifes ndaj mallrave serbe, prej nëntorit të vitit të kaluar, ka ndikuar poashtu tej mase në fuqizimin e prodhuesve vendor. Në thelb, ky veprim e ka delegjitimuar projektin e ndarjes së Kosovës, që fshihej nën idenë e korrigjimit të kufijve. Kjo masë është dëshmuar strategjike dhe duhet të mbetet deri në njohje të shtetit të Kosovës .