Haradinaj shpreh mirënjohje ndaj Bullgarisë për mbështetjen e dhënë për Kosovën

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti në takim ambasadorin e Bullgarisë në Kosovë, Nedialtcho Dantchev.

Në takim, kryeministri Haradinaj falënderoi ambasadorin Dantchev për përkrahjen që shteti i Bullgarisë ka dhënë për Kosovën në proceset integruese, duke shprehur gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

Kryeministri Haradinaj e njoftoi ambasadorin për prioritetet e Qeverisë, për zhvillimin ekonomik, për mundësinë e hapjes së vendeve të reja të punës si dhe për sundimin e ligjit.

Nga ana e tij, ambasadori Dantchev e ka uruar kryeministrin Haradinaj për detyrën e re në krye të Qeverisë, duke theksuar se Bullgaria do të vazhdojë të mbështesë Kosovën edhe më tutje në të gjitha fushat.