“Nëse ne i hapim kufijtë e kësaj Kosove, atëherë i hapim edhe varret e atyre për të cilët jemi ardh për t’i kujtuar sot, plagët dhe vuajtjet e tyre. Ai që cenon këta kufij, është armik i Kosovës”, kështu tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj gjatë fjalimit të tij të mbajtur para familjeve të dëshmorëve të Komunës së Deçanit.

Me këtë rast Haradinaj,  pasi i ka përshëndetur të gjithë të pranishmit, tha se janë në javën e përvjetorit të Pavarësisë ku bëhen 11 vjet që Kosova u bë shtet sovran dhe i pavarur.

“ Kjo javë ka rastisur që të fillojë në Deçan, një rastësi e cila është me meritë. Pra Deçani dhe kjo trevë e Dukagjinit, vërtet janë me meritë për lirinë e atdheut tonë, pavarësinë”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se e drejta e shqiptarëve është studiuar e trajtuar nga shumë mendimtarë e njohës të zhvillimeve,  jo vetëm në Ballkan por edhe në botë.

Ndër tjerash, kryeministri Haradinaj tha se si populli më i vjetër në Ballkan, edhe historia e shqiptarëve është prej më të hershmëve  dhe se vërteta e tyre është prej më të parave në Ballkan, dhe kësisoj gjithë rrugëtimin e shqiptarëve deri këtu, sot askush nuk e konteston.

“Në luftën e ’98 e ’99 të UÇK-së me ndihmën e NATO-s të prirë nga Amerika, e për të cilën ne jemi mirënjohës ndaj tyre, u realizua një pjesë e të drejtës shqiptare e cila kishte mbetur peng me mijëra vjet përpjekjesh, e që ajo ishte Kosova”, theksoi kryeministri Haradinaj.

Më tej, duke folur për shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, kryeministri Haradinaj e bëri të qartë se 17 Shkurti i 2008-ës dhe flamuri i saj ishte një minimum kompromis i të drejtës së shqiptarëve dhe se duke qenë kështu, çdo shqiptar e  ka obligim ta mbrojë këtë Kosovë, Kosovën e 17 Shkurtit, mbrojtjen e së cilës siç tha ai, e obligon edhe Kushtetuta.

Haradinaj, foli edhe për vendosjen e taksës ndaj Serbisë duke e theksuar edhe njëherë se ajo do të qëndrojë deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.

Nga një fjalë rasti mbajtën edhe kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj dhe kryetari i OVL – UÇK-së dega në Deçan, Abdyl Mushkolaj.

Ndërkaq, në emër të familjeve të dëshmorëve, Antigona Dabiçaj, i ndau mirënjohje kryeministrit Ramush Haradinaj.