Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, gjatë një takimi punë me Odën Ekonomike Gjermano-Kosovare, bashkë me investitorë gjermanë dhe sipërmarrës nga vendi, kanë shqyrtuar efektet pozitive që kanë sjellë hapat e ndërmarrë nga Qeveria me reformën rrënjësore fiskale, ligjin për investime strategjike dhe lehtësirat për të bërit biznes.

Haradinaj ka bërë të ditur se ka pranuar projeksionet dhe inputet e kësaj ode, që e ndihmojnë Kosovën për veprimet e nevojshme në etapën e mobilizimit të të gjitha potencialeve ekonomike.

“ParkuInovativ Trajnues në Prizren është shembulli më i mirë i bashkëpunimit ekonomik Kosovë – Gjermani, adresë e pranisë ekonomike gjermane, për investime të huaja dhe hapje të vende të reja të punës”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

“Po sot, kemi para vetës një listë prej 11 investimeve strategjike, në vlerë prej 1.8 miliardë eurosh, i pari nga to është investim i një kompanie gjermane”.

“Qeveria synim parësor ka rritjen ekonomike në vend dhe në këtë aspekt e sheh OEGj si partner të rëndësishëm në këtë dinamikë të re zhvillimore”.